“Stafi i ARBK-së konstatoi muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor”- MINT reagon për aksionin e sotëm
Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit është deklaruar për aksionin e policisë sot tek Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve. Nga MINT thanë se sot në mëngjes u njoftuan se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kanë qenë të pranishme njësitë policore për krime ekonomike, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me…
Lajme
Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit është deklaruar për aksionin e policisë sot tek Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve.
Nga MINT thanë se sot në mëngjes u njoftuan se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kanë qenë të pranishme njësitë policore për krime ekonomike, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas ndërrimit të jetës së pronarit.
“Ju njoftojmë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative. Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”,thuhet në reagim, transmeton lajmi.net.
Nga MINT thanë se “sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se institucionet janë duke punuar me vëmendje të shtuar në ngritjen dhe avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët dhe bizneset që regjistrohen apo kryejnë ndryshime në këtë institucion”./Lajmi.net/