Sportistëve kosovarë s’iu lejua hyrja në Serbi, vjen reagimi nga qeveria e Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kanë reaguar autoriteteve të Serbisë pasi ndaluan hyrjen e ekipit të boksit të Kosovës në territorin e tyre për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit.

Lajme

23/10/2021 21:24

Qeveria e Serbisë s’ka lejuar hyrjen e sportistëve nga Kosova për shkak të simboleve shtetërore dhe MKRS thotë se është shkelur e drejta e sportistëve dhe e drejta e Federatës së Boksit të Kosovës për pjesëmarrje në këtë kampionat, shkruan lajmi.net.

MKRS në këtë reagim thotë se Federata e Boksit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit.

“Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor.”, thuhet në komunikatë.

Kjo është komunikata e plotë:

REAGIM:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dënon ashpër vendimin e sotëm të auroriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e sportistëve tanë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma.
Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.
Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA).
Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor.
Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim tek ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, z. Vanja Udovičić. /Lajmi.net/