SPERTK letër Kurtit dhe Muratit, kërkon që edhe punëtorëve të RTK-së t’iu jepet paga e 13-të

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK) iu ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe Komisionit për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Republikës së Kosovës. SPERTK kanë kërkuar që edhe punëtorët e televizionit publik të përfshihen në mekanizimin ligjor për dhënien e pagës së 13-të, transmeton lajmi.net. “Në…

Lajme

17/03/2026 16:48

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK) iu ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe Komisionit për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

SPERTK kanë kërkuar që edhe punëtorët e televizionit publik të përfshihen në mekanizimin ligjor për dhënien e pagës së 13-të, transmeton lajmi.net.

“Në rast se nuk merret një përgjigje konkrete dhe të dokumentuar, SPERTK do të përdorë të gjitha mjetet ligjore sindikale të lejuara, për të garantuar mbrojtjen e interesave të punonjësve të RTK-së në përputhje me ligjin dhe procedurat zyrtare.”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Komunikata e plotë: 

Ne, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK), drejtohemi publikisht për të kërkuar trajtim të drejtë dhe të barabartë për punonjësit e RTK-së në lidhje me pagën e 13 për vitin 2026.

Sipas vendimit të miratuar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe deklaratës së Kryeministrit në fund të muajit mars, është parashikuar që punonjësve të sektorit publik t’u paguhet paga e 13. Megjithatë, RTK mbetet jashtë këtij mekanizmi, duke i lënë punonjësit e saj në një pozicion të pabarabartë krahasuar me kolegët e institucioneve të tjera të financuara nga buxheti i shtetit.

Punonjësit e RTK-së kontribuojnë drejtpërdrejt në shërbimet publike dhe në informimin e qytetarëve, ndërsa RTK financohet nga buxheti i shtetit. Duke pasur parasysh këtë, kërkohen masat e mëposhtme:
1. Përfshirja e RTK-së në mekanizmin ligjor dhe buxhetor të pagës së 13, duke respektuar statusin ligjor të veçantë të institucionit si media publike.
2. Miratimi i një akti ligjor ose vendimi administrativ që përcakton qartë këtë përfshirje, në përputhje me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe Ligjin e Buxhetit për vitin 2026.
3. Njoftimi i SPERTK për vendimin përfundimtar dhe masat e planifikuara, brenda një afati të arsyeshëm, për të siguruar zgjidhje të menjëhershme të çështjes.

Kjo letër është drejtuar institucioneve përgjegjëse:
• Kryeministri i Republikës së Kosovës
• Ministri i Financave
• Komisioni për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Në rast se nuk merret një përgjigje konkrete dhe të dokumentuar, SPERTK do të përdorë të gjitha mjetet ligjore sindikale të lejuara, për të garantuar mbrojtjen e interesave të punonjësve të RTK-së në përputhje me ligjin dhe procedurat zyrtare.

Ky paralajmërim publik synon të theksojë rëndësinë e trajtimit të drejtë për punonjësit e RTK-së dhe nevojën për transparencë në zbatimin e pagesës së 13./lajmi.net/