SPAK-u apelon vendimin e Gjykatës së Posaçme, kërkon rikthimin e Sali Berishës në arrest shtëpie

Ashtu siç e kishte paralajmëruar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin e lirimit te Sali Berishes, duke kërkuar rikthimin e tij arrest shtëpie. Më 27 nëntor, GJKKO hoqi masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, duke e lënë atë të lirë. Por menjëherë, po atë…

Lajme

16/12/2024 13:57

Ashtu siç e kishte paralajmëruar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin e lirimit te Sali Berishes, duke kërkuar rikthimin e tij arrest shtëpie.

Më 27 nëntor, GJKKO hoqi masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, duke e lënë atë të lirë. Por menjëherë, po atë ditë reagoi SPAK duke thënë se seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” vazhdon.

“Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.

Më 27 nëntor, avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj, tha për mediat pas vendimit se Berisha nga ky moment “është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij”. Megjithatë ai shtoi se procesi ndaj klientit të tij ishte politik.

Përgjatë një viti gjykatat e të gjitha niveleve lanë në fuqi masën e arrestit shtëpiak, një masë që GJKKO e mori pasi Berisha refuzoi të zbatojë masën ‘detyrim paraqitje’, duke e cilësuar atë si antikushtetuese.

Ish-kryeministri është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” në tetor nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim.