SPAK lëshon masë sigurie për Vlora Hyseni, pezullohet nga detyra për kryespiunia shqiptare -në Kosovë ishte shkarkuar nga AKI-ja

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për Vlora Hysenin, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit, e cila u pezullua nga detyra. Hyseni ka qenë shpesh herë në shënjestër të akuzave të opozitës. Ajo mori zyrtarisht detyrën në prill të vitit 2023, duke u bërë e para grua që udhëheq…

Lajme

22/09/2026 09:17

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në Shqipëri ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për Vlora Hysenin, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit, e cila u pezullua nga detyra.

Hyseni ka qenë shpesh herë në shënjestër të akuzave të opozitës.

Ajo mori zyrtarisht detyrën në prill të vitit 2023, duke u bërë e para grua që udhëheq shërbimin inteligjent shqiptar.

Përpara këtij emërimi, ajo ka pasur një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.

Pas largimit nga postet në Kosovë, ajo shërbeu për rreth dy vite si këshilltare për sigurinë kombëtare e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj pati dekretuar Vlora Hysenin si drejtuese te Shërbimit Informativ te Shtetit tri vite më parë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pati propozuar që Vlora Hyseni të vendoset në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar.

“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.”- kishte shkruar Rama pas takimi që kishte pasur me Begajn.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës , kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri kur në detyrën e drejtorit të AKI-së u emërua Petrit Ajeti.

Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe flet disa gjuhë të huaja.

Edhe pse ka pak informacione sa i përket jetës së sajë, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendës drejtoreshë e AKI-së, në 28 shkurt 2019, nga ish presidenti Hashim Thaçi, për të u shkarkuar në 30 qershor 2021, nga presidentja e tanishme Vjosa Osmani.

“Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara.” – thuhej në njoftimin e presidencës./Lajmi.net/