Sot Prishtinën, nesër Prishtinën

Korab Sejdiu pretendon ta drejtojë Prishtinën krejtësisht ndryshe nga Isa Mustafa. Ai thotë se do të jetë në Prishtinë “sot dhe nesër”. E pretendimet e Behgjet Pacollit janë edhe më të mëdha. Ai e shpalli AKR’në partinë më të madhe në Prishtinë.

Lajme

04/10/2013 18:03

Jo si Isa Mustafa që synon sot Prishtinën e nesër Kosovën.

Korab Sejdiu është e kundërta e tij. Ai sot e synon Prishtinën që të qëndrojë në të edhe nesër.

Kandidati i AKR’së për kryetar të Prishtinës në këtë mënyrë e ka ironizuar moton e LDK’së për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit

“Qëllimi im i vetëm është Prishtina, nuk kam asnjë agjendë tjetër përpos agjendës së Prishtinës dhe qytetarët e saj”, ka thënë Sejdiu në hapjen e fushatës së tij në Prishtinë.

“Vendosa të kandidoj për kryetar të Prishtinës sepse siç po e shihni nuk kemi më kohë për të humbur. Thjesht jemi lodhë nga gjendja aktuale, jemi të zhgënjyer nga politika e vjetër, nga njerëz të cilët premtojnë, por posa të zgjidhen i harrojnë ato premtime, dhe çka bëjnë tjetër përpos që i ndjekin interesat e tyre personale dhe partiake. Kandidova sepse besoj se ende nuk është vonë”.

Ndërsa Presidenti i AKR’së Behgjet Pacolli pretendon se partia e tij është më e madhja në kryeqytet.

“Kur flitet për Prishtinën nuk mund të  mos flasësh për AKR’në. AKR’ja ka qenë është dhe do të jetë partia dominante në kryeqytetin tonë të dashur”.

“Ne jemi ndryshimi, ne jemi perspektiva dhe këtu nevojitet ndihma e juaj. Ne kemi sjellë njeriun më dinjitoz që mund t’i përfaqësojë parimet e AKR’së, njeriu që përfaqëson dinjitetin njeriu që përfaqëson vullnetin për të vepruar, njeriu që përfaqëson guximi njeriu që përfaqëson shoqëritë e civilizuara. Ky është Korab Sejdiu”, ka thënë Pacolli