“Sot nuk mundemi me i marrë me veti por…” protestuesit kërkojnë lirimin e ish-eprorëve të UÇK-së
“Drejtësia nuk njeh vonesa”, “Gjyqi tani! Jo më pritje pafund”, “Liria ka emër”, janë disa nga parullat që po mbajnë në duar protestuesit shqiptarë në Hagë. Shumë të tjera porosi janë në gjuhën angleze, në të cilat po bëhet thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Me mijëra shqiptarë nga e…

Lajme
“Drejtësia nuk njeh vonesa”, “Gjyqi tani! Jo më pritje pafund”, “Liria ka emër”, janë disa nga parullat që po mbajnë në duar protestuesit shqiptarë në Hagë. Shumë të tjera porosi janë në gjuhën angleze, në të cilat po bëhet thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota kanë filluar të mblidhen në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale ku është caktuar lokacioni për mbajtjen e protestës.
Me uniformë të Forcës Speciale të Kosovës, Fazli Gashi nga Klina ka udhëtuar drejt Hagës për të qenë pjesë e kësaj proteste, ku mes tjerash ka shprehur shqetësimin duke thënë se Gjykata Speciale po bën padrejtësi ndaj shqiptarëve.
“Kemi ardhur që t’i përkrahim edhe me çdo kusht me i mbrojt që të mos dënohen., janë të paprekshëm. Jemi në përkrahje deri në pikën e fundit… Nëse ka diku padrejtësi, ajo është padrejtësia, aty ka gjithçka por padrejtësi ka. Kjo është padrejtësia më e madhe që është duke ju bërë çlirimtarëve dhe popullit tonë në përgjithësi. Kjo nuk guxon të ndodhë në këtë shekull”,deklaron ai.
Vehbi Karaxha i cili ka ardhur nga Gjermania, tha se po pret lirimin e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ani pse “sot ndoshta nuk mundemi me i marrë me vete”.
“Në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës, dhashtë Zoti që sa më shpejt të lirohen. Çfarë të them? Ndoshta ju ndihmojnë inshAllah…mendimi im është që edhe ata gjykatësit janë mbështetës, Serbia është aty imponon krejt. Nuk ka kjo gjykatë, nuk mund të them që kjo gjykatë është e drejtë edhe këta janë tradhtarë në këtë gjykatë krejt, sikur serbët sikur këta në këtë Gjykatë janë tradhtarë. Këtu është duke gjykuar Serbia. Presim [lirimin] për atë jemi ardhur, sot ndoshta nuk mundemi me i marrë me vete por do të kishim dëshirë me vete me i marrë”, deklaron ai.
Nga Prizreni ka ardhur që t’i bashkohen protestës edhe Irvan Krasniqi.
“Është i gabuar, njerëzit janë të pafajshëm, duhet të lirohen sa më shpejt”, u shpreh ai.
Protesta zyrtarisht do të fillojë në orën 14:00 në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale. Protesta vjen një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarë të parë të mbrojtjes./kp