Sot në Lubjanë
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës zyrtare në Kroaci, sot do të jetë në një vizitë zyrtare në Slloveni, ku do të pritet nga krerët më të lartë shtetërorë.
Lajme
Në Lubjanë, zëvendëskryeministri Thaçi fillimisht do të takohet me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec.
Thaçi dhe Erjavec, përveç bashkëpunimit bilateral, do të bisedojnë edhe për rritjen e shkëmbimit ekonomik dhe tregtar në mes të dy shteteve. Ata do të nënshkruajnë edhe një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, që do të jetë një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Më pas, zëvendëskryeministri Thaçi do të pritet në takim nga presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, me të cilin do të diskutojë rreth synimeve të Kosovës për hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit me NATO-n, duke lëvizur drejt Partneritetit për Paqe, si instrumentit kryesor për anëtarësim të plotë. Në këtë drejtim, Thaçi do të kërkojë mbështetjen sllovene në procesin integrues të Kosovës në BE dhe NATO.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin slloven, Miro Cerar. Përveç bashkëpunimet rajonal, Thaçi do të kërkojë mbështetjen e shtetit slloven në përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Sllovenia është një partnere tradicionale ekonomike e Kosovës dhe vizita e zëvendëskryeministrit Thaçi në Lubjanë pritet të ketë efekte të drejtpërdrejta në vazhdimin e mbështetjes sllovene.