​Kryeministri britanik konfirmon përfshirjen ruse në Brexit

Andy Burnham deklaroi se Rusia ndërhyri “qartazi” në referendumin e Brexit-it të vitit 2016. Kjo deklaratë pason vendimin e tij për të lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian. Gjatë pjesëmarrjes në podkastin Rest is Politics, kryeministri zbuloi se, pas marrjes së detyrës këtë verë, ai kërkoi informacion nëse…

Bota

11/10/2026 17:26

Andy Burnham deklaroi se Rusia ndërhyri “qartazi” në referendumin e Brexit-it të vitit 2016.

Kjo deklaratë pason vendimin e tij për të lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian.

Gjatë pjesëmarrjes në podkastin Rest is Politics, kryeministri zbuloi se, pas marrjes së detyrës këtë verë, ai kërkoi informacion nëse Moska kishte qenë e përfshirë në votim dhe mori një “përgjigje të qartë se po”.

Kjo shënon herën e parë që një kryeministër konfirmon ndërhyrjen e Kremlinit, raporton Independent, përcjell KosovaPress.

Këto deklarata do të nxisin më tej spekulimet se Burnham synon ta anulojë Brexit-in. Në konferencën vjetore të Partisë Laburiste muajin e kaluar, kryeministri njoftoi planet për të shqyrtuar mundësitë e afrimit të Britanisë me bllokun evropian dhe sugjeroi se rikthimi në BE mund të përfshihet në manifestin e ardhshëm zgjedhor të partisë.

Burnham shtoi se Mbretëria e Bashkuar kishte qëndruar në pozicion mbrojtës për një kohë tepër të gjatë, duke i lënë votuesit të painformuar sa duhet mbi shkallën në të cilën aktorët e huaj po përpiqeshin të cenonin proceset politike.

Richard Kilpatrick, nga grupi pro-evropian “European Movement UK”, e mirëpriti konfirmimin.

“Prej vitesh dyshonim se referendumi i vitit 2016 ishte shënjestër e ndërhyrjes, pasi rezultati i tij ndihmoi në destabilizimin e një Evrope të bashkuar. Dezinformimi luajti një rol kyç në atë kohë dhe është e rëndësishme të kemi këtë konfirmim publik të atyre dyshimeve,” tha ai.