Skender Potera triumfon në “Drag Race” që u ndoq nga 20 mijë shikues

Në një garë ku pjesëmarrës ishin 104 garues me vetura tejet atraktive, Potera e kishte pritur këtë sukses.

Sport

07/08/2016 23:29

Skender Potera është fitues i garës Drag Race për këtë vit, e cila gjatë dy ditëve të fundjavës u zhvillua në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Potera sivjet ka qenë i pakonkurrencë me veturën e tij Golf RS V 16 dhe distancën prej 402 metrave e kaloi për kohën 10.177 sekondave, me shpejtësinë mesatare prej 240 kilometrave në orë.

Në një garë ku pjesëmarrës ishin 104 garues me vetura tejet atraktive, Potera e kishte pritur këtë sukses.

“Kemi punuar shumë për të arritur këtu dhe realisht kam besuar se do të fitoj. Kam qenë i vetëdijshëm se në Kosovë nuk ka ndonjë veturë më të shpejtë, por nuk e kam ditur se me çfarë makinash do të paraqiten pjesëmarrësit nga diaspora”, ka thënë Potera, duke theksuar se vetura e tij ka vlerë rreth 40 mijë euro, por që do të vazhdojë me modifikime tjera. “Ne mendojmë të marrim pjesë edhe në të ardhmen, prandaj sigurisht do të përpiqemi që vazhdimisht të bëjmë përmirësime. Pjesëmarrësit tjerë tashmë e dinë fuqinë e veturës sonë dhe ata do të punojnë për të ofruar diçka më të shpejtë, por në këtë drejtim do të punojmë edhe ne”, ka shtuar Potera, njofton Federata e Autosporteve të Kosovës.

Në fakt, ai ishte i vetmi që arriti të garojë në klasën e dhjetë (kalimi i distancës për 10 sekonda). Ndërkaq, fituesi i garës në vitin e kaluar, Arton Ajvazi, sivjet u rendit vetëm i treti në klasën e 12-të.

Në përgjithësi gara ishte mjaft atraktive dhe u përcoll nga mbi 20 mijë shikues (të dielën), derisa edhe të shtunën interesimi nuk mungoi.

Pa marrë parasysh rezultatet, shikuesit u kënaqën edhe me atë që treguan edhe: Arton Ajvazi me Nissan GTR, Marin Buliqiç me Opel Calibra, Labinot Mustafa me Honda CRX e të tjerë.

Kryetari i Federatës së Auto Sportit të Kosovës, Ismet Rexhepi, e ka vlerësuar pozitivisht garën e këtij viti. “Me rëndësi është që gara ka përfunduar pa incidente. Duhet pranuar se nuk ka qenë aspak e lehtë të organizohet, por mendojmë se ia kemi dalë me sukses. Fillimisht kemi pasur shumë punë për ta përgatitur pistën, e pastaj edhe pjesën organizative. Është e qartë se në një masë kaq të madhe dikush do të jetë i pakënaqur, por ne e kemi dhënë maksimumin, ndërsa një vështirësi më tepër e patëm edhe për shkak të kushteve atmosferike në ditën e parë“, është shprehur Rexhepi.

Përveç garuesve nga Kosova dhe mërgimtarët nga shumë vende të ndryshme, pjesëmarrës pati edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Kroacia. Nga Kroacia ishte edhe ekipi profesional i matjes së kohës.

Rezultatet:

Klasa 16:

1.Fitim Cakiqi (Gjermani)2

2 Leutrim Isufi (Kosovë)

Klasa 15:

1.Kastriot Tunaj (Zvicër)

2.Azem Ramadani (Kosovë)

3.Andis Halimi (Austri)

Klasa 14:

1.Shkumbin Hasani (Gjermani)

2.Dante Gonxhja (Shqipëri)

3.Lirim Elezi (Gjermani)

Klasa 13:

1.Emin Dobra (Kosovë)

2.Përparim Ebibi (Zvicër)

3.Ibrahim Bilalli (Zvicër)

Klasa 12:

1.Arbër Grainca (Suedi)

2.Maliq Haziraj (Zvicër)

3.Arton Ajvazi (Kosovë)

Klasa 11:

1.Agron Ismajli (Kosovë)

2.Nuri Bugari (Austri)

3.Xhevdet Leci (Zvicër)

Klasa 10:

1.Skender Potera (Kosovë)