“S’ka pajtim për dy palë zgjedhje”, Jashari: Kriza mund të zgjasë deri në mars të vitit 2026

Analisti politik Shesmi Jashari ka deklaruar se kriza politike që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës mund të zvarritet deri në mars të vitit 2026, nëse partitë politike nuk arrijnë kompromis. Ai tha se vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka interes të shkohet në zgjedhje të përgjithshme njëkohësisht me ato lokale që priten të mbahen në…

Lajme

18/06/2025 18:56

Analisti politik Shesmi Jashari ka deklaruar se kriza politike që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës mund të zvarritet deri në mars të vitit 2026, nëse partitë politike nuk arrijnë kompromis.

Ai tha se vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka interes të shkohet në zgjedhje të përgjithshme njëkohësisht me ato lokale që priten të mbahen në tetor, por partitë e tjera janë kundër kësaj ideje, gjë që pamundëson arritjen e një dakordimi të përbashkët.

“Mendoj se LVV-ja ka interes që të shkohet në zgjedhje bashkë me këto lokale, por subjektet tjera politike nuk kanë interes, dhe kjo e bën të pamundur kompromisin për një proces të përbashkët zgjedhor. Do t’i shkaktonte shumë vështirësi menaxhimit të procesit nëse shkohet në dy palë zgjedhje në të njëjtën kohë”, theksoi Jashari.

Ai gjithashtu foli për kërkesën që AAK-ja dhe partitë tjera i kanë drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e votimit në Kuvend, nga votimi i hapur në të fshehtë.

Sipas tij, edhe nëse Gjykata jep një përgjigje, ajo nuk do të jetë zgjidhje për bllokadën aktuale.

“Kërkesa që iu është drejtuar AAK-ja me partitë tjera në Kushtetuese, ka të bëj me vetëm interpretimin e ndërrimit të  procedurës nga votimi i hapur në votimin e fshehtë. E që i bie që rrjedhimisht do ta kemi një përgjigje të kufizuar brenda kërkesës që iu është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim. E që është të konfirmojë se është apo nuk është e ligjshme ndërrimi i procedurës gjatë zhvillimit të procedurës. E që kjo nuk mendoj se nuk do të jetë përgjigja që do t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit, duhet ta respektojnë atë vlerësim të Kushtetueses, qoftë të vazhdojnë me votimin e hapur, por që nuk nënkupton sigurimin e numrave për ta zhbllokuar situatën, apo të vazhdojnë më proces të mbyllur të votimit që besoj se nuk do të jetë kjo përgjigja. Unë kam frik që për shkak të pozicioneve politike, për shkak të zgjedhjeve lokale që do t’i kemi në tetor të këtij viti, do të vazhdoj deri në marsin 2926 e që do të jetë shumë e dëmshme për shtetin e Kosovës”, deklaroi Jashari në Dukagjin.