Sinqerisht, po e mashtrojmë veten

Sikur të ishim sadopak të sinqertë, qoftë edhe për disa minuta, do të mbërrinim së bashku te konkludimi që nuk është rendi që ne vetë ta bëjmë Gjykatën Speciale.

Opinion

02/07/2015 11:27

Politika e sotme kosovare, shquhet, midis tjerash, me dy mangësi thelbësore. Sa për ato të tjerat, me gjasë, nuk duhet harxhuar kohë fare.

Në njërën anë, kemi një ekspanzion të të folurit të kotë, në të gjitha versionet e mundshme, për çështjet prej të të cilave varet e tashmja e ardhmja e këtij vendi. Një popullizëm fare i lirë, gjithnjë e më i dëmshëm, është diskursi mbizotërues në Kosovë muajve të fundit. Nuk ka si të kthehet në çfarëdo vlere politike, një qasje e kësisojt në politikën kosovare.

Në anën tjetër, kemi dukurinë e rënies së vazhdueshme të potencialit legal dhe politik për t’i marrë vendimet e domosdoshme për fatin e shtetit të Kosovës, dhe për të kuptuar se çfarë e pret Kosovën, në rrethanat e reja ndërkombëtare, veçmas në Evropë, të cilat sa vijnë e ndërlikohen.

Sa për popullizmin si veçori sunduese në politikën kosovare, kjo u rikonfirmua në debatin parlamentar të së premtës së kaluar  (me 26 qershor), kushtuar Amandamenteve Kushtetuese, miratimi eventual i të të cilave do të mundësonte lansimin e procedurës ligjore për themelimin e Gjykatës Speciale.

Mbase, nuk ia vlenë një fjalë e vetme të thuhet për këtë degradim të cilësisë së Kuvendit.

Sa për çështjen e dytë, e cila gjithsesi ndërlidhet me të parën, sepse nuk mund të pritet dot që një kualitet krejtësisht dëshpërues në politikën vendore të jetë themel i një kapaciteti të mirëfilltë legal dhe politik, edhe ajo po merr ‘certifikata’ të shpeshta të cilat vërtetojnë shpërputhjen e madhe midis sprovave që i kemi, dhe mekanizmave dhe mundësive reale për tu përballur me to, për të gjetë zgjidhje për to.

Natyrisht, në një ambient të këtillë politik, çfarë është krijuar ndër ne, më së paku që mund të presësh është të sipërfaqet një sinqeritet elementar, sepse e tëra del se është një lojë e rëndomtë politike, e cila ka afat përdorimi që matet me orë, ndërsa vendimet që duhet të mirren në Kosovë, kanë njësi matëse vitet e tëra.

Sikur të ishim sadopak të sinqertë, me veten dhe me të tjerët, qoftë edhe për disa minuta, a nuk do të mbërrinim së bashku te konkludimi që nuk është rendi që ne vetë ta bëjmë Gjykatën Speciale, ku do të trajtohej lënda e supozuar në këtë Gjykatën që mëtohet të themelohet prej SHBA-së dhe BE-së?

Si është e mundur që paradite, thuaja të gjithë ne, jemi tej mase kritik ndaj gjyqësorit vendor dhe atij ndërkombëtarë (EULEX-it), që funksionon në Kosovë, madje, duke e bërë atë njërin prej faktorëve dhe fajtorëve kryesorë për Propozimin që të bëhet një Gjykatë e re ndërkombëtare, jashtë vendit, dhe po të njejtit, pasdite, themi me plotë gojë që ‘ne’ mund ta bëjë vet këtë Gjykatë në Kosovë, apo që ne vetë kemi kapacitetin e mjaftueshëm ligjor dhe politik për ta përmbushur këtë detyrë, e cila ndryshe është e pashmangshme. Së paku këtu, në këtë element, pra, në atë të domosdoshmërisë së adresimit të këtij problemi, të themelimit të kësaj Gjykate, duket që ka pajtueshmëri, qoftë edhe deklarative, me atë porosinë e njohur që ‘ne nuk i frikësohemi drejtësisë’.

Si kemi mbërri këtu ku jemi, ky është një rrëfim i gjatë, por ai nuk ndihmon gjë fare në zgjidhjen e këtij problemi.

Nuk ka pra ‘Rrugë të tretë’ për ta mbyllur këtë kaptinë që është çelë me një Raport të njohur në Këshillin e Evropës. Ose duhet vetë të vendosim që kjo Gjykatë do të bëhet sipas kornizës së propozuar ligjore, ose e tëra do të bartet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Dallimi midis këtyre dy udhëve për krijimin e Gjykatës Speciale, është shumë i madh, thënë më mirë, është thelbësor.

Sikur edhe këtu të na paraqitej ai sinqeriteti disaminutësh, të gjithë ne do të bëheshim bashkë në këtë konkludim politik.

Nuk është kjo një lojë pokeri, ku ne mund të shpresojmë që çfarë po na thonë shtetet që kanë pas rolin vendimtar ndërkombëtarë në bërjen e shtetit të Kosovës, është vetëm një bllof, apo që rasti i kësaj Gjykate nuk do të përfundojë, për trajtim dhe vendim, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

‘Letrat’ e te dy palëve janë fare të dukshme. Dihet çka kemi ne në dorë, çka kanë shtetet që na kanë përkrahur gjithmonë.

Nuk ka gjë të fsheht këtu. Gjithçka është bërë publike dhe transparente. Përfshirë këtu edhe pafuqinë e madhe politike në adresimin e kësaj sprove.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)