Sindikata e Policisë kundërshton suspendimin e gjashtë zyrtarëve në Gjakovë, kërkon rishqyrtim të vendimit
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar ndaj vendimit për suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si të ngutshëm dhe të pabazuar në rrethanat e rastit. Në komunikatën për media, Sindikata vlerëson se masa e ndërmarrë dëmton rëndë institucionin e Policisë së Kosovës, pasi,…
Lajme
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar ndaj vendimit për suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si të ngutshëm dhe të pabazuar në rrethanat e rastit.
Në komunikatën për media, Sindikata vlerëson se masa e ndërmarrë dëmton rëndë institucionin e Policisë së Kosovës, pasi, sipas saj, ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e stacioneve policore, krijon mungesë të stafit dhe cenon autoritetin e organit të sigurisë, transmeton lajmi.net.
Duke theksuar se nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë institucionale të Inspektoratit Policor, Sindikata thotë se, bazuar në audio-incizimin e publikuar në media dhe pas analizimit të rastit, zyrtarët e suspenduar kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe me profesionalizëm.
Sipas njoftimit, zyrtarët policorë dyshohet se janë kërcënuar me jetë në vendin e tyre të punës, në prani të kolegëve të tjerë. Në audio-incizim, thuhet se i dyshuari dëgjohet duke përmendur edhe kohën e mundshme të një sulmi ndaj tyre. Për këtë arsye, ai është trajtuar si i dyshuar për veprat penale të kërcënimit dhe pengimit të personit zyrtar në kryerje të detyrës, ndërsa me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e paraburgimit.
Sindikata gjithashtu ngre dyshime se audio-incizimi i publikuar mund të jetë i shkëputur dhe jo i plotë, duke theksuar se sipas legjislacionit në fuqi, një incizim i paautorizuar dhe i paurdhëruar nga organet kompetente nuk mund të konsiderohet provë ligjore.
Në fund, Sindikata e Policisë së Kosovës i bën thirrje Inspektoratit Policor që të rishqyrtojë vendimin dhe të mundësojë kthimin e menjëhershëm në detyrë të zyrtarëve të suspenduar, duke theksuar se ata, sipas saj, kanë qenë viktima të kërcënimit dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.
Komunikata e plotë: