Silvinjo dhe stafi teknik ndjekin nga afër lojtarët kuqezi në përgatitjet për ndeshjen e “play-off”-it ndaj Polonisë
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin e tij teknik, kanë intensifikuar punën në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës “play-off” të Botërorit 2026 ndaj Polonisë. Gjatë javëve të fundit, stafi teknik kuqezi ka ndjekur nga afër disa ndeshje të kampionatit “Abissnet Superiore”, për të vëzhguar lojtarët shqiptarë që aktivizohen në elitën…
Sport
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin e tij teknik, kanë intensifikuar punën në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës “play-off” të Botërorit 2026 ndaj Polonisë.
Gjatë javëve të fundit, stafi teknik kuqezi ka ndjekur nga afër disa ndeshje të kampionatit “Abissnet Superiore”, për të vëzhguar lojtarët shqiptarë që aktivizohen në elitën e futbollit vendas. Mes takimeve të ndjekura kanë qenë Dinamo City-Vllaznia dhe Egnatia-Dinamo City.
Paralelisht me ndjekjen e kampionatit vendës, Silvinjo dhe stafi teknik kanë qenë të pranishëm edhe në disa takime në arenën europiane. Në Portugali, ata ndoqën sfidën e Europa League, Porto- Rangers, për të vlerësuar nga afër paraqitjen e mesfushorit kuqezi Nedim Bajrami.
Ndërkohë, në Itali, stafi teknik ishte i pranishëm në ndeshjen Lazio-Atalanta, ku aktivizohen dy nga titullarët e Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj.
Gjatë qëndrimit në Itali, trajneri zhvilloi edhe një takim me kapitenin Berat Gjimshiti, ndërsa në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit priti për një vizitë Elseid Hysaj, në kuadër të komunikimit me kapitenët e ekipit përpara ndeshjes së “play-off”-it.
Në javët në vijim, stafi teknik ka programuar të ndjekë nga afër edhe disa lojtarë të tjerë kuqezi në ndeshjet e tyre me klubet respektive, në mënyrë që të vlerësohet në detaje gjendja fizike dhe forma e secilit përpara sfidës së rëndësishme të “play-off”-it.
Përgatitjet vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa fokusi mbetet maksimal për arritjen e objektivit në përballjen ndaj Polonisë.