Siguri për të gjithë qytetarët

Presidentja Jahjaga priti Komandantin e NATO’s në komandën e Napolit, Admiralin Clingan. Ky i fundit garantoi mjedis të sigurt gjatë ditës së rivotimit në veri të Mitrovicës.

Lajme

15/11/2013 14:35

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga sot u takua me Komandantin e NATO’s në komandën e Napolit, Admiralin Bruce W. Clingan dhe komandantin e KFOR’it, Gjeneralin Salvatore Farina.

Në këtë takim Presidentja Jahjaga vlerësoi rolin e NATO’s në Kosovë për ruajtjen dhe vendosjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ajo vlerësoi ndihmën e dhënë nga NATO për aftësimin dhe përgatitjen e FSK’së.

Presidentja Jahjaga tha se në zgjedhjet e 3 nëntorit, Kosova ka treguar pjekurinë e saj politike dhe ka dëshmuar nivelin e demokracisë në vend. Ajo gjithashtu tregoi se të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që më 17 nëntor, kur do të përsëriten votimet në tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, qytetarët do të jenë të sigurt që të votojnë pa frikë dhe kështu të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim.

Ajo tha se të gjitha institucionet e drejtësisë duke përfshirë edhe misionin paqeruajtës të NATO’s do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesin zgjedhor. Jahjaga tha se të gjithë qytetarët e posaçërisht qytetarët e komunitetit serb, në këtë ditë do të jenë të sigurt për të shprehur vullnetin e tyre.

Admirali Clingan dhe gjenerali Farina, e njoftuan Jahjagën për gatishmërinë e tyre për të siguruar vendin gjatë ditës së rivotimit në veri të Mitrovicës. Ata thanë se KFOR’i është i gatshëm që të ofroj siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.