“Si rrallëherë në mandatin e saj, Osmani veproi drejt…”-” Më së paku eksponentët e LDK-së duan kthimin e saj në LDK”, Mustafa flet për zhvillimet politike
Ditëve të fundit, zhvillime të shumta politike kanë ndodhur në Kosovë. Që nga 5 marsi, kur edhe ka qenë data e fundit për të zgjedhur Presidentin e Kosovës, Kuvendi i Kosovës u shpërnda si dhe raportet e Presidentes aktuale Vjosa Osmanit me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin u prishën. Nga marrëdhëniet e mira, të ngushta e…
Lajme
Ditëve të fundit, zhvillime të shumta politike kanë ndodhur në Kosovë.
Që nga 5 marsi, kur edhe ka qenë data e fundit për të zgjedhur Presidentin e Kosovës, Kuvendi i Kosovës u shpërnda si dhe raportet e Presidentes aktuale Vjosa Osmanit me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin u prishën.
Nga marrëdhëniet e mira, të ngushta e shpesh herë të pandara të Osmanit me Kurtin e VV-në, tani veçse u shndërruan në njerëz që s’flasin fare me njëri-tjetrin.
Që kur ajo nuk u propozua për Presidente, sulme, akuza e reagime të shumta erdhën drejt Osmanit nga VV dhe anasjelltas.
Por, dekreti i saj për shpërndarjen e Kuvendit u përkrah nga akterë të opozitës dhe ish-politikanë.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përkrahur këtë dekret të Osmanit për të shpërndarë Kuvendin. Ai e ka parë vendimin e Osmanit si të drejtë e që sipas tij ka ndodhur rrallë herë në mandatin e saj.
“Në këtë rast ndaj bindjen se presidentja Osmani ka vepruar drejt me shpërndarjen e kuvendit për të rrallën herë në mandatin e saj. Unë e shoh se Kushtetuta e përcakton qartë se presidenti zgjidhet më së largu 30 ditë pa skaduar mandati i presidentit aktual”, ka thënë Mustafa në një përgjigje për lajmi.net.
Ai gjithashtu ka thënë se duhet të respektohen vendimet e Kushtetueses çfarë do që të jenë ato.
“Te ne, Kushtetuta lexohet me syze të ndryshme por vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, çfarë do qofshin ato”, ka thënë Mustafa i cili ka përmendur sulmet që i bëhen kësaj Gjykate.
Pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga Osmani, kanë dal zëra se e njëjta mund të kthehet në shtëpinë e vjetër, në LDK. Por, këtë mundësi nuk e ka përkrahu as vetë Isa Mustafa, që dikur e udhëhoqi këtë parti.
Për ata që e kërkojnë kthimin e Vjosës në LDK, Mustafa ka thënë se janë eksponentë të VV-së të ndenjur në LDK.
“Do thosha që ata që kërkojnë kthimin e Vjosës në LDK, më së paku janë eksponentë të LDK-së. Shumë më shumë janë eksponentë të VV-së të ndenjur në LDK”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.
Në lidhje me kthimin e saj në LDK, e pa si të mundur shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu.
“LDK është shtëpi e madhe”, Lushaku Sadriu, më 4 mars, kur u pyet për rikthimin e mundshëm të Osmanit dhe nëse e njëjta do të bëhej pjesë e listës së LDK-së në zgjedhjet e ardhshme.
Se Osmanin do ta përkrahte LDK nëse do të kandidonte për Presidente, kishte deklaruar edhe vetë kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin për çështjen e Presidentit, Abdixhiku më 2 mars u shpreh se LDK-ja nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, “e aq më pak ndaj zonjës Osmani”, por specifikoi se deri më tani nuk u është prezantuar asnjë emër zyrtar për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.
Vjosa Osmani në vitin 2021 e kishte “tradhtuar” LDK-në, duke u larguar nga kjo parti dhe krijuar një iniciativë tjetër, atë me emrin “Guxo”. Iniciativë kjo me ndikim brenda VV-së, por që zgjodhën të mos e përkrahin Osmanin edhe për një mandat, e madje nuk nxorën fare zë për çështjen e saj. Osmani më pas kishte bërë koalicion me VV-në dhe kishte garuar me listën e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ku bashkë korrën një fitore bindëse me mbi 50%, ndërsa LDK do të merrte rezultatin më të dobët në histori të partisë, rreth 13%.
Ky rezultat i dobët solli dorëheqjen e Isa Mustafës nga drejtimi i LDK-së, duke qenë edhe një nga arsyet pse Mustafa sot vazhdon të jetë kundër çdo kthimi të mundshëm të Osmanit në LDK. /Lajmi.net/