Si ndodhi therja me thika mbrëmë te Santea në Prishtinë

Përleshja e mbrëmshme me thika që ka ndodhur tek Santea në lagjen Dardania në Prishtinë, kishte përfshirë tre persona dhe dy prej tyre kishin mbetur të lënduar. Zënka kishte filluar në një lokal. 

Lajme

16/08/2014 19:04

Ngjarja kishte nisur në lokalin ‘White House’, ku këta persona, kishin nisur të shtyheshin me fjalë. 

Sipas pronarit të lokalit ku kishte ndodhur ngjarja, të përfshirët në përleshje kishin vazhduar më pas jashtë lokalit, derisa kishte ardhur edhe tek therja me thikë.

Një shpjegim për këtë ngjarje e ka dhënë edhe zëdhënësi në Policinë e Kosovës, Baki Kelani. Ai për KosovaPress, ka thënë se të lënduarit janë dërguar në Emergjencë nga kalimtarë të rastit, ndërsa në vendin e ngjarjes janë dalë menjëherë policia. 

Por sipas Kelanit, të dy personat e lënduar janë të dyshuar. 

“Të dy personat e lënduar janë të dyshuar, e njëri me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje e tjetri është në tretman mjekësor ende”, ka thënë Kelani. 

Sipas burimeve të KosovaPress, B.R. 49 vjeçar, nga Prishtina është personi që ka marrë therje dhe po trajtohet në QKUK. 

Detaje të tjera, KosovaPress ka mësuar edhe nga një burim i afërt me personin i cili është në mbajtje dhe i ka shkaktuar lëndime viktimës B.R. 

Sipas këtij burimi, personi i cili kishte therë me thikë viktimën, para se të vijë deri tek përleshja, kishte rrahur edhe gruan e tij. 

Problem kishte bërë edhe kur policia kishte arritur ta kap, ku nuk është ndalur edhe me kërcënime ndaj policisë. 

Ndonëse ky i fundit është dërguar në mbajtje, viktima me inicialet B.R. po qëndron i shtrirë për trajtim mjekësorë në QKUK. 

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, ka thënë për KosovaPress, se i ndaluari për tretman në QKUK, ka pasur lëndime të enëve të gjakut. 

“Bëhet fjalë për lëndim të enëve të gjakut. Dhe duhet të bëhet përcjellja në 72 orët e para. Por janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Lenjani. 

Ngjarja kishte ndodhur mbrëmë në lagjen “Dardania”, tek Santea rreth orës 22:10.