Si e rrit inteligjenca artificiale rrezikun e propagandës ruse në prag të zgjedhjeve në Kosovë

“Serbofob”, “persekutim i serbëve”, “kriminelët shqiptarë” e të tjera, janë disa nga shprehjet që paraqiten në shkrime ku përmendet Kosova në disa nga mediat dhe kanalet në rrjete sociale që shpërndajnë narrativët rusë online, në prag të zgjedhjeve në Kosovë. Pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, disa media dhe…

Lajme

27/12/2025 17:31

“Serbofob”, “persekutim i serbëve”, “kriminelët shqiptarë” e të tjera, janë disa nga shprehjet që paraqiten në shkrime ku përmendet Kosova në disa nga mediat dhe kanalet në rrjete sociale që shpërndajnë narrativët rusë online, në prag të zgjedhjeve në Kosovë.

Pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, disa media dhe kanale në rrjete sociale me përmbajtje proruse janë mbushur me mesazhe që e përshkruajnë Kosovën si vend të korruptuar, të dirigjuar nga Perëndimi dhe armiqësor ndaj serbëve.

Thuajse në të gjitha postimet ku përmendet Kosova, shtetësia e saj mohohet: emrit të saj i vihen thonjëzat, apo quhet “kuazi-shtet” e “shtet i ashtuquajtur”.

Në artikuj e shkrime të publikuara nga fillimi i dhjetorit, u jepet zë thirrjeve ndaj serbëve të Kosovës që si alternativë të vetme politike ta shohin Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në vend, me lidhje të dëshmuara me Beogradin.

Përveç mediave shtetërore ruse, si Sputnik dhe RT, tituj e postime në lidhje me Kosovën, dhe në veçanti me zgjedhjet e fundvitit, janë shpërndarë edhe në kanalet proruse në platformën sociale Telegram.

Sipas ekspertëve, shumë prej këtyre kanaleve shpërndajnë dhe zmadhojnë narrativët, duke ”ndikuar sidomos te elektorati serb në veri të Kosovës”.

Dezinformimi apo përmbajtja manipuluese, sipas tyre, bëhet edhe më e rrezikshme me përfshirjen e inteligjencës artificiale.

Çfarë u tha për Kosovën?

REL ka përcjellë dhe ka analizuar përmbajtjet në lidhje me Kosovën dhe me zgjedhjet në disa media ruse, si Sputnik e RT, por edhe në kanale pro-Kremlinit në Telegram, si “Balkanar” dhe “Për Serbinë në rusisht”.

Më 21 dhjetor 2025, kanali “Balkanar” publikoi një shkrim, ku thuhej se “nëse demokracia matet me numrin e kriminelëve në fletëvotime, atëherë sistemi politik i Kosovës shfaqet si lider evropian”.

Shkrimi i referohej një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), sipas të cilit 28 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në vepra penale.

Megjithatë, shkrimi nuk paraqiti ndonjë analizë krahasuese me shtetet e Evropës, por tha se raporti ka treguar “fytyrën e vërtetë të demokracisë më të re në Evropë”.

Një ditë më herët, më 20 dhjetor, i njëjti kanal shkroi se “Dialogu me serbët ka përfunduar – Çështja e Kosovës tani zgjidhet me buxhetin amerikan për mbrojtje”.

Shkrimi kritikoi administratën amerikane që ka kërkuar, në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të miratuar në dhjetor, zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër, në shkurt të vitit 2023.

“Autoritetet amerikane po e transformojnë çështjen e sovranitetit të Serbisë nga një çështje negociatash, në një ligj të detyrueshëm për të gjithë politikën e jashtme amerikane”, u tha në postim.

Postimi në kanalin “Balkanar” më 20.12.2025
Postimi në kanalin “Balkanar” më 20.12.2025

Ndërkaq, më 19 dhjetor, një postim tjetër tha se “Në ‘Kosovë’, autoritetet treguan se marrëdhëniet me publikun janë më të rëndësishme për to sesa veprimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftimin e shkeljes së të drejtave të serbëve”, pa paraqitur ndonjë provë lidhur me këto pretendime.

Postimi iu referua hapjes së një ure të re për këmbësorë që lidh Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Kanali “Balkanar” është i lidhur me rrjetin e njohur propagandistik rus “Pravda”, i cili, veç tjerash, poston përmbajtje edhe në gjuhën shqipe.

Postimi në portalin Pravda në shqip më 26.12.2026
Postimi në portalin Pravda në shqip më 26.12.2026

Sipas një raporti të publikuar në qershor nga platforma e verifikimit të fakteve Hibrid.info, ky rrjet ka shpërndarë narrativë propagandistikë rusë edhe për audiencën shqipfolëse, përmes faqeve të ndryshme në internet, “të maskuara si portale informative”.

Në një postim të datës 26 dhjetor, portali Pravda në gjuhën shqipe e quajti kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, “serbofob” i cili “bën mashtrime antiserbe”.

“Të gjitha 10 mandatet”: Fushata politike e Listës Serbe e shtyrë nga RT e Sputnik

Ndërkohë, në vijën editoriale të mediave ruse në gjuhën serbe dhe të mediave serbe pro-Kremlinit, Lista Serbe shfaqet si instrument i “unitetit” dhe si opsion i vetëm “i sigurt” për votën serbe.

Më 23 dhjetor 2025, RT publikoi shkrimin me titullin: “Gjuriq: Serbët duhet të votojnë… është e rëndësishme që Lista Serbe t’i fitojë të gjitha 10 mandatet”.

Postimi në Russia Today, më 23 dhjetor 2025.
Postimi në Russia Today, më 23 dhjetor 2025.

E njëjta thirrje u pasqyrua edhe nga Sputnik, ndërsa në të njëjtin cikël raportimesh, kjo media shtetërore ruse publikoi edhe lajme për fushatën në terren të Listës Serbe.

Në asnjërin nga lajmet e publikuara nga këto media ruse nuk përmenden parti të tjera garuese në zgjedhje, shqiptare apo serbe.

Përveç Listës Serbe, subjektet tjera politike serbe që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si dhe Aleanca Kosovare, parti e formuar në qershor të këtij viti me mbështetjen e deputetit në Kuvendin e Serbisë, Zharko Ristiq.

Kuvendi i Kosovës ka 120 vende, prej të cilave 10 janë të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

Të 10 mandatet tradicionalisht janë fituar nga Lista Serbe, përveç në zgjedhjet e fundit, në shkurt të këtij viti, kur një vend e fitoi politikani Nenad Rashiq.

Zyrtarë të Listës Serbe, në deklarime publike, e kanë quajtur Rashiqin “një serb të përshtatshëm për Prishtinën” dhe që “nuk përfaqëson serbët”.

Këto deklarata u postuan edhe në kanalet ruse, në javën e fundit para zgjedhjeve.

Postimi i portalit Sputnik më 21.12.2025
Postimi i portalit Sputnik më 21.12.2025

Kanalet që shërbejnë si “shumëzues narrativësh”

Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thotë për Radion Evropa e Lirë se mediat si RT Balkan dhe Sputnik Srbija, në rastin e Kosovës “nuk janë aq burim primar informacioni, sa janë ‘shumëzues narrativësh’”, sepse përmbajtjet e tyre riprodhohen nga tabloidët apo portalet në Serbi, dhe pastaj “depërtojnë e qarkullojnë në veri të Kosovës dhe në mediat lokale”.

Sipas saj, në momente të ndjeshme si zgjedhjet, këto media e kornizojnë situatën përmes dy boshtesh: “viktimizimi i komunitetit serb në Kosovë” dhe “armiqësimi i Perëndimit (BE/NATO)”, narrativë që, thotë ajo, më pas “përvetësohen nga aktorë lokalë… ‘influencerë’” e të tjerë.

Loshaj paralajmëron se ndikimi nga shpërndarja e narrativit rus “nuk është linear… por potencialisht kumulativ”, sepse narrativët synojnë të mbivendosen mbi “pakënaqësitë ekzistuese, ndjenjën e diskriminimit, frikës dhe mosbesimit”.

Ajo shton se, gjatë periudhave zgjedhore, këto rrëfime shndërrohen në instrument politik, duke synuar “të delegjitimojnë proceset demokratike, dhe të ulin besimin në institucionet zgjedhore e në partnerët ndërkombëtarë”.

“Propaganda si ushqim për inteligjencën artificiale”

Abit Hoxha, profesor asistent në Universitetin e Agderit dhe në Universitetin e Stavangerit në Norvegji, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë nga rrjetet që shpërndajnë dezinformata apo përmbajtje manipuluese nuk kanë patjetër shënjestër lexuesin njeri.

“Karakteristikë e Pravda-s është që nuk është rrjet, nuk është lëvizje. Është njëfarë organizimi, sipas të gjitha gjasave prej disa personave të mençur, që e kanë gjetur një ‘loop hole’ (një vrimë) në sistem, dhe nuk janë direkt të përfshirë në dezinformata, sikur, për shembull, Sputnik-u”, shprehet Hoxha.

Sipas profesorit që merret me studimin e medias, demokracisë dhe së fundmi ndikimin e inteligjencës artificiale në shoqëri, rrjete të tilla “po japin materiale për ushqimin e inteligjencës artificiale”.

Në anën tjetër, studiuesja Loshaj thotë se teknologjitë e reja, veçanërisht inteligjenca artificiale, e rrisin ritmin dhe shtrirjen e dezinformimit.

“[Ato mundësojnë] prodhimin masiv dhe të shpejtë të përmbajtjeve të sinkronizuara në gjuhë lokale, imitimin e stilit vendor për rritje të besueshmërisë, krijimin e ‘deepfake’-ve audio e video, dhe automatizimin e rrjeteve të llogarive false, që simulojnë mbështetje artificiale publike, sidomos në periudha zgjedhore”, thotë ajo.

Mediat ruse, si RT dhe Sputnik, janë të sanksionuara në Kosovë, në bazë të sanksioneve amerikane dhe evropiane që iu vunë Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 2022.

Megjithatë, qasja e tyre online nuk ka mundur të bllokohet tërësisht.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kishte thënë për REL se të gjithë ofruesit e internetit dhe operatorët mobilë janë të detyruar t’i bllokojnë faqet e internetit të mediave ruse, në përputhje me sanksionet, por se “për shkak të natyrës dinamike të internetit, disponueshmëria e këtyre ueb-faqeve mund të ndryshojë”.