Shumica parlamentare, e pakoordinuar për Avokatin e Popullit

Partitë në pushtet, megjithëse me vota të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, nuk po arrijnë t’i funksionalizojnë institucionet me rëndësi për vendin.

Lajme

12/04/2015 20:13

Ka kaluar më shumë se një vit prej kur institucioni i Avokatit të Popullit funksionon me ushtrues detyre, e edhe muaj të tërë do të mbetet kështu, meqë në rastin e fundit Kuvendi dështoi ta zgjedhë atë.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Lirie Kajtazi, e cila vjen nga LDK-ja, i tha KTV-së se është e pafalshme për legjislativin që për kaq kohë të mos arrijë ta votojë Ombudspersonin.

Sipas saj, kjo pozitë është e ndjeshme, kërkohet të mos ketë ndikime politike, por duhet patjetër konsensus politik. Kajtazi tregon se çështja është akoma më serioze sepse pos avokatit, mandati ju ka kaluar edhe zëvendësve të tij, .

Por, opozitarët thonë se partitë në pushtet nuk i bënë kalkulimet siç duhet, prandaj asnjëri nga kandidatët nuk fitoi.

Në AAK dhe Vetëvendosje thonë se të dyja partitë, sikurse PDK-ja ashtu edhe LDK-ja, synojnë t’i kenë njerëzit e tyre aty.

Javën e shkuar, Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë Avokatin e Popullit sepse asnjëri nga kandidatët nuk arriti t’i marrë 61 vota të deputetëve.