Shtrenjtimi i naftës, reagon Ministria: Kontrolle në terren, qytetarët të raportojnë parregullsitë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar qytetarët e Republika e Kosovës se po monitoron me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimeve të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë që merren me tregtimin e tyre në vend. Sipas njoftimit zyrtar, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar kontrollet në të gjithë…

Lajme

02/03/2026 17:00

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar qytetarët e Republika e Kosovës se po monitoron me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimeve të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë që merren me tregtimin e tyre në vend.

Sipas njoftimit zyrtar, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e vendit, duke realizuar inspektime të përditshme dhe të vazhdueshme në terren. Qëllimi kryesor i këtyre veprimeve është mbrojtja e konsumatorit dhe garantimi i respektimit të legjislacionit në fuqi.

Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës, lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen drejtpërdrejt edhe në tregun vendor. Megjithatë, MINTI thekson se çdo ndryshim çmimi duhet të jetë në përputhje me standardet dhe dispozitat e përcaktuara në Ligjin nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme.

Ministria ka bërë të ditur se mbikëqyrja intensive do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve në pikat e shitjes së derivateve, do të shqyrtohet mundësia e ndërhyrjes përmes vendimit për rregullimin e çmimeve dhe zbatimin e masave të tjera mbrojtëse.

Në këtë proces do të përfshihen edhe institucionet tjera relevante, përfshirë Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, me qëllim të rritjes së kontrollit dhe transparencës në treg.

MINTI rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e konsumatorit, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve në treg.

Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo parregullsi apo mashtrim të mundshëm përmes numrit pa pagesë 0800 11000 ose në email adresën zyrtare: [email protected]. /Lajmi.net/