Shtrenjtimi i naftës në Kosovë, flet Rozeta Hajdari

Në kohën kur çmimet e naftës po shënojnë ngritje në tregjet ndërkombëtare si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se Kosova është më e mbrojtur sa i përket sektorit të naftës, por jo edhe për produkte të tjera esenciale. Hajdari theksoi se…

Lajme

18/06/2025 16:21

Në kohën kur çmimet e naftës po shënojnë ngritje në tregjet ndërkombëtare si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se Kosova është më e mbrojtur sa i përket sektorit të naftës, por jo edhe për produkte të tjera esenciale.

Hajdari theksoi se vendi ka një bazë ligjore për rregullimin e çmimeve të naftës, ndërsa për produktet e tjera bazë, sipas saj, mungon një ligj funksional si pasojë e kundërshtimeve të ish-opozitës në Kuvend.

Si rrjedhojë e konfliktit Izrael-Iran, edhe në Kosovë kanë shënuar ngritje çmimet e derivateve. Për këtë Hajdari thekson se “nuk mund të rregullojmë çmimin furnizues që hyn në tregun e Kosovës”.

Çmimi për një litër naftë në tregun e Kosovës është duke u tregtuar nga një euro e shtatëmbëdhjetë centë deri në një euro e njëzet e pesë centë, (1.17 euro – 1.25 euro).

“Për sektorin e naftës jemi më mirë ligjërisht të kompletuar, edhe pse kemi synuar edhe për shumë produkte tjera esenciale ose thelbësore në rast të ç ‘rregullimit të tregut. Kemi pasur ligjin për rregullimin e çmimeve të produkteve bazë në rast të ç’rregullimit të tregut, të cilin ligj për produktet esenciale ose thelbësore për popullatën përfshirë produktet ushqimore, naftën, drurin, nuk arritëm të kemi këtë ligj ne fuqi për shkak të kundërshtimeve nga opozita, duke aluduar se ne po ngushtojmë konkurrencën e lirë në treg. Dhe kjo rezultoi me përgjigje negative nga Gjykata Kushtetuese ku këtë ligj nuk e kemi në fuqi. Por e mira e sektorit të naftës është se kemi një ligj për produktet e naftës në fuqi tashmë…Por nuk mund të rregullojmë çmimin furnizues që hyn në tregun e Kosovës. Pra, çka është në tregun e Kosovës që hyn nga importi, ne kemi si pike referente çmimin furnizues në Doganën e Kosovës dhe shtojmë 12 cent për litër me pakicë, ose 2 centë për litër shitjen me pakicë dhe shumicë. Vendimet e di se janë në fuqi për rregullimin e çmimit të naftës, inspektorati qendror i mbikëqyrjes së tregut është aktiv”,ka thënë Hajdari.

Ndërsa, Hajdari është pyetur edhe sa i përket një pompe të derivateve në Pejë, e cila dyshohet të duke funksionuar jashtëligjshem. Porse, ajo ka thënë se nuk është në dijeni nëse e njëjta ka marrë licencë.

“Jo nuk jemi në dijeni, nuk jemi aspak të njoftuar. MINT pikërisht për sektorin e naftës ka intensifikuar inspektimet përmes Inspektoratrit qendror të mbikëqyrjes së tregut, duke rritur inspektimet për më shumë se 100 për qind gjatë këtij mandati. Unë si ministre nuk jam e informuar për një biznes të vetëm, por për bizneset e ndryshme të cilat inspektohen, gjobiten dhe motivohen për t’u licensuar. Do të përgjigjem me shkrim a e ka marrë apo jo (licensen)”,ka theksuar Hajdari.

Ndërsa, ka nënvizuar se kur ka filluar mandatin në MINT, “ka gjetur një sektor të naftës shumë të paformalizuar”, duke shtuar se tashmë kanë arritur të formalizojnë 98 për qind të operatorëve ekonomik me licenca.

“MINT kur ka filluar në fillim të mandatit në vitin 2021, kemi gjetur një sektor të naftës shumë të paformalizuar ku më shumë se 50 për qind e pikave të karburanteve kanë qenë të pa licensuar. Sepse certifikatat të cilat i kanë marrë, licencat kanë kushtuar, kanë pas tarifë shumë të lartë prej 3 mijë deri në 5 mijë euro për naftën, prej 5 mijë deri në 20 mijë për duhanin. Por me ligjin e ri të produkteve të naftës kemi thjeshtuar dhe motivuar sektorin privat që të licencohet sipas ligjit të ri për produktet e naftës. Dhe në këtë rast është rezultat i madh i MINT ku kemi arritur të formalizojmë 98 për qind të operatorëve ekonomik me licenca, të cilat kanë një kohëzgjatje tash prej 2 vjet në 6 vite, kurse tarifa për t’u licensuar është në 50 euro për produktet e naftës, 55 për produktet e duhanit. Dhe në këtë rast unë si ministre nuk mbaj mend emrat e kompanive të përvetshme si individuale, por e’di që më vinë qindra licenca në kabinet për të nënshkruar në afat të shkurtër”, ka thënë Hajdari.

Këto deklarata, Hajdari i ka bërë pas lansimit të skemës së re të granteve prej 1 milion euro për NMVM-të në sektorin e TIK-ut.