Shtatë të vdekur nga aksidentimi i një autobusi në Rusi

Të paktën shtatë persona kanë vdekur, përfshirë katër fëmijë dhe 32 të tjerë janë lënduar pas aksidentimit të një autobusi në afërsi të Moskës, njoftuan autoritetet.

Bota

03/02/2019 15:52

Autobusi, që po barte 45 persona, u rrokullis në një rrugë lokale rreth 190 kilometra në jug të Moskës, njoftoi Ministria e Situatave Emergjente.

U deshën disa orë derisa ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin dhjetëra persona, të cilët u bllokuan brenda autobusit.

Shumica e të lënduarve janë fëmijë, transmeton rel.

Shkaku i këtij aksidente ende nuk dihet, por policia tha se shoferi i autobusit është arrestuar dhe po merret në pyetje. Rruga ku u aksidentua autobusi ishte e mbuluar me borë.

Agjencia e lajmeve ruse Interfax, ka cituar kryetarin e qytetit Yartsevo të ketë thënë se autobusi po barte disa fëmijë të një klubi të vallëzimit, të cilët ishin nisur drejt një gare vallëzimi në qytetin Kaluga.

Ministria e Situatave Emergjente tha se autobusi nuk është përplasur me asnjë makinë tjetër. Kjo ministri tha se me duket që autobusi ka devijuar nga rruga përpara se të rrokullisej.