Shtatë nxënës kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e helmimit në Vitomiricë, Prokuroria jep detaje

Një numër i madh i nxënësve në Vitomiricë të Pejës, raportohet se janë helmuar. Lajmin për lajmi.net e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Fadil Gashi. “Sipas informacioneve të deritanishme që kemi, drejtoria e shkollës është njoftuar rreth orës 10 të mëngjesit se disa nxënës kanë shqetësime shëndetësore. Disa…

Lajme

22/10/2025 14:33

Një numër i madh i nxënësve në Vitomiricë të Pejës, raportohet se janë helmuar.

Lajmin për lajmi.net e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sipas informacioneve të deritanishme që kemi, drejtoria e shkollës është njoftuar rreth orës 10 të mëngjesit se disa nxënës kanë shqetësime shëndetësore. Disa prej nxënësve janë bartur me autoambulancë për në QMF-në aty afër dhe kanë marrë tretman mjekësor, e më pas janë liruar në shtëpi. Me urdhër të prokurorit është ftuar për intervistim drejtori i shkollës, i cili e ka dhënë deklaratën e tij. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse” tha Gashi.

Në lidhje me rastin, detaje shtesë ka dhënë edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Pasi kemi pranuar informacionin Prokurori kujdestar e ka autorizuar policinë për mbledhjen e informacioneve të nevojshme lidhur me rastin. Ka dyshime se janë helmuar disa nxënës në Vitomiricë. Shtatë nxënës kanë kërkuar trajtim mjekësor”, ka thënë Nikçi.

Ai ka thënë se deri tani është intervistuar drejtori i shkollës ndërsa nuk ka thënë se është arrestuar dikush.

“Aktualisht është intervistuar drejtori i shkollës deri pritet të intervistohen edhe persona të tjerë. Jemi duke pritur rezultatet nga Inspektorati Sanitar i Punës dhe do të shohim nëse kemi të bëjmë me helmim. Për detaje do t’ju njoftojmë me kohë”, tha ai. /Lajmi.net/