Shqiptarët e vlerësojnë Greqinë si shtetin më të rrezikshëm

Në sondazhin e zhvilluar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, del se 18.5 për qind e të anketuarve mendojë se Greqia është shteti që paraqet më shumë rrezik për Shqipërinë. Ajo pasohet nga Serbia me 17.2 për qind.

Lajme

13/04/2014 18:03

Greqia konsiderohet si vendi që paraqet rrezik më të madh për Shqipërinë. Ky është rezultati që ka dalë nga sondazhi i publikuar “Marrëdhëniet shqiptaro-greke parë nga sytë e publikut shqiptarë”, i publikuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe i financuar nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”, në Shqipëri.

Sondazhi kishte për respodentë 1200 shqiptarë, 600 femra dhe po aq meshkuj. Pyetjes se për cilin vend shqiptarët shfaqin mosbesimin më të madh del të jetë Greqia.

Në pyetjen se a ka ndonjë vend që përbën kërcënim për Shqipërinë, 39.5 për qind e të anketuarve u përgjigjën PO, dhe kur të anketuarit u pyetën se cili vend konkretisht përbën më shumë rrezik për Shqipërinë, 18.5 për qind e tyre u përgjigjën se është Greqia. Pas Greqisë, vendi që paraqet rrezik është Serbia me 17.2 për qind, e cila pasohet nga Maqedonia me 1.9 për qind. Ndërkaq, 14.1 për qind e të anketuarve shprehen se nuk kanë idenë nëse ndonjë vend mund të përbëjë rrezik për Shqipërinë.

Sondazhi ka pasur edhe pyetje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet në mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë. 45 për qind e shqiptarëve mendojnë se marrëdhëniet shqiptaro-greke janë normale, 22 prej tyre mendojë se ato janë të këqija, ndërsa 5 për qind të të anketuarve janë përgjigjur se marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Greqisë janë shumë të këqija.

(Gazeta Shqip)