Shpreson te fuqizimi i partisë së tij, e sheh të pashpresë situatën në Kosovë
Behgjet Pacolli ka paralajmëruar fuqizimin e AKR-së në skenën politike, duke thënë se ky subjekt politik u duhet qytetarëve të Kosovës.
Lajme
Pacolli ka bërë me dije se do të ketë ndryshime në ekipin e tij dhe strukturat e partisë, ndërsa për koalicionin qeverisës PDK-LDK është shprehur se e ka të vështirë të mbijetojë karshi problemeve me të cilat po përballet.
“Mungon kohezioni i brendshëm i qeverisjes, nuk ka program, nuk ka energji, nuk ka ndjenjë sakrifice përballë varfërisë së tejskajshme të qytetarëve, nuk ka guxim dhe nuk ka ide”, është shprehur Pacolli.
Ai për kthimin e qytetarëve të cilët kanë migruar drejt vendeve të Be-së, ka thënë se mund të shpërthejë nëj bombë sociale.
“Migrimi është shpërfaqja më dramatike në sytë e botës dhe problemeve të mëdha që ka sot shoqëria jonë. Ne jemi duk e shkatërruar me shpejtësi imazhin tonë ndërkombëtar si popull që meriton vetëqeverisje”.
Pacolli ka folur edhe për çmimin “Nderi i Kombit”, me të cilin është nderuar nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Duke ju kundërpërgjigjur kritikëve ai ka thënë se këtë çmim nuk e ka blerë, por e ka fituar me punë.
“Mos u bëni qesharakë me mitologjinë e blerjes së titujve. Nëse do të doja, do të kisha blerë pushtet, institucione, apo vota”, ka deklaruar ai.