Shpërfillen kërkesat e gjyqëtarëve, kërkojnë takim me krerët e shtetit

Qëndrim i të gjithë kryetarëve të gjykatave dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor është se aktualisht kërkesat e gjyqtarëve kanë hasur në një shpërfillje totale nga ana e Qeverisë së Kosovës, andaj ata kërkojnë të takohen me krerët e shtetitt.

Lajme

23/03/2015 19:19

Në takimin e mbajtur sot kryetarët e gjykatave dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor thanë se për t’i ikur përshkallëzimit të mëtejmë të gjendjes në gjykata, që mund të shprehet me ndërprerje edhe të aktiviteteve gjyqësore të karakterit urgjent (paraburgimet), janë dakorduar që të kërkojnë takime urgjente me presidenten Jahjaga, kreun e Kuvendit,  Veseli, dhe kryeministrin Mustafa, që të tentohet edhe një herë që t’u vihet në vëmendje gjendja gjysmë e paralizuar në gjykatat e Kosovës. Ky takim rezultoi edhe me një thirrje ndaj këtyre instancave që të reflektohet më shumë mbi kërkesat legjitime të gjyqtarëve dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.

Në këtë takim u formua edhe grupi i përbashkët nga radhët e gjyqtarëve, kryetarëve dhe anëtareve të Këshillit Gjyqësor që të punohet mbi skemën e re të pagave, që parashihet të funksionalizohet përmes Ligjit të ri për pagat e funksionarëve publike, i cili është duke u hartuar nga Ministria e Administratës Publike. Me këtë ligj tentohet të vihet një shtrirje e pagave më e balancuar ndërmjet bartësve të funksioneve gjyqësore, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, harmonizimit të plotë me bartësit e funksioneve prokuroriale.

Në pritje të reflektimit pozitiv të institucioneve të vendit, KGJK dhe kryetarët e gjykatave kërkojnë nga të gjithë gjyqtarët që të mos cenohen të drejtat e të pandehurve në paraburgim, për sa u përket vizitave që janë të lejuara sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, ashtu që të mundësohen këto vizita duke filluar nga dita e nesërme.