Shpërblehen paraqitjet e mira të Hudson – Odoi, lojtari ftohet nga kombëtarja e Anglisë

Super talenti i Chelsea, Callum Hudson – Odoi është shpërblyer për paraqitjet e tija të jashtëzakonshme.

Sport

10/03/2019 10:30

Hudson Odoi ka shënuar katër gola në 16 paraqitje me skuadrën e Chelsea këtë edicion. Golin e fundit e realizoi në kuadër të Ligës së Evropës.

Falë këtyre paraqitjeve, ai ka mundësinë që të bëjë debutimin e tij me kombëtaren e Anglisë U-21, nga e cila ka pranuar ftesën për ndeshjet e radhës.

Callum kishte qenë pjesë e Anglisë U-17 e cila fitoi Kupën e Botës, dhe tashmë në moshën 18 vjeçare ka fituar një ftesë nga U-21, transmeton lajmi.net.

Pas këtij lajmi të mirë, ai shpreson të paraqitet edhe në ndeshjen e së dielës (sot) kundër Wolverhampton Wanderers.

Lojtari ishte kërkuar me shumë ngulm nga skuadra e Bayern Munich gjatë afatit kalimtar të janarit, por Sarri refuzoi të hiqte dorë nga lojtari.

Pasi Chelsea është suspenduar në transferime me dy afate kalimtare, Hudson Odoi me siguri do të jetë lojtari mbi të cilin do të ndërtohen planet për të ardhmen. /Lajmi.net/