Shpend Ahmeti zbulon pronarët e “Pandorës”

Shpend Ahmeti ka publikuar emrat e pronarëve të ngastrave ku është ndërtuar “Pandora”. Në këtë listë nuk figuron emri i Daut Haradinajt, i cili kishte kërkuar të dihen pronarët e ndërtesës së përfolur. Por nuk dihen investitorët dhe objekti nuk ka leje.

Lajme

07/03/2014 08:27

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i është përgjigjur Deputetit të Kuvendit të Kosovës nga AAK, Daut Haradinaj, në kërkesën e këtij të fundit që t’i bëjë publike emrat e pronarëve të vërtetë të ndërtesës së quajtur “Pandora” në Lagjen “Arbëria” për të cilën ëshët përfolur se është pronë e vetë Haradinajt.

Në një letër dërguar Haradinajt, Kryetari i Prishtinës ka zbuluar emrat e pronarëve të kësaj ndërtese, por ka thënë se nuk ka mundur t’i gjejë investitorët e saj sepse bëhet fjalë për një ndërtim pa leje.

“Kjo letër është përgjigje në kërkesën tuaj për vërtetimin e pronësisë së objektit të ashtuquajtur “Pandora” në rrugën Bajram Curri nr.19″ në Prishtinë. Pasi vërteton që ka kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe shefi i këtij sektori Liburn Aliu për të dhënat në fjalë”.

“Objekti në fjalë është ndërtim pa leje i cili ka leje urbanistike për një ndërtim përdhesë plus një kat. Objekti është ndërtuar me një etazhitet shumë më të lartë dhe në vitin 2006 kanë kërkuar leje në vitin 2006 por ajo është refuzuar për shkak se nuk i përmbush kushtet që të pajiset me leje”, thuhet në letër.

Letra që Shpend Ahmeti ia dërgoi Daut Haradinajt

 

“Pronarët e ngastrave kadastrale janë Sami Avdiu, Hate Avdiu, Shefqet Avdiu, Ahmet Avdiu, Albiana Avdiu, Ajet Avdijaj, Valmira Morina dhe Agim Ymeri. Të njejtit kanë aplikuar edhe për leje. Nuk kemi informata mbi investitorët në ndërtim sepse është ndërtim pa leje”, thuhet në letrën e Kryetarit të Prishtinës drejtuar Daut Haradinajt.

Shpend Ahmeti letrës drejtuar Daut Haradinajt i ka bashkangjitur edhe kopjet e planit dhe fletës poseduese, lejes urbanistike dhe aktvendimit për refuzim.