Shpend Ahmeti shtron asfalt në dimër, dyshime për cilësinë e punimeve

Qarkullimi në kryeqytet është vështirësuar dukshëm ditët e fundit, kjo pasi autoritet komunale kanë zgjedhur vjeshtën dhe dimrin që t’i riparojnë dhe intervenojnë në rrugët kryesore të Prishtinës.

Lajme

10/12/2019 21:20

Punimet që janë duke u zhvilluar në rrugët “Gazmend Zajmi”, “Nazim Gafurri”, “Karl Gega”, “Bill Klinton”, “Qamil Hoxha”, “Iliaz Kodra”, “Dëshmorët e Shabanit”, “Ali Pashë Gucia”, “Dardania”, “Bregu i Diellit”, “Pejton”, e shumë të tjera, kanë vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve, pasi që, të reshurat e shiut e kanë nxjerrë mbi sipërfaqe baltën, dhe në mungesë të rrugëve alternative duhet të ecet mbi të.

Ndonëse riparimet e intervenimet rrugore ende po vazhdojnë, opozita në komunën e Prishtinës ka akuzuar Shpend Ahmetin për neglizhencë dhe keqplanifikim të punimeve në infrastrukturë.

Ata thonë se procedurat e prokurimit nga ana e Komunës janë zhvilluar në gjysmën e vitit dhe jo më herët, çka do t’ua mundësonte kompanive që punimet të kryheshin para dimrit.

Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri ka thënë për lajmi.net se punimet që janë duke rrjedhur në këtë kohë është për shkak të keqplanifikimit të punimeve në infrastruktur.

Ai ka thënë se shqetësuese është cilësia e punimeve në këto rrugë, pasi koha nuk është e përshtatshme për shkak të temperaturave të ulëta.

“Punimet që janë tu rrjedh në këtë kohë është për shkak të keqplanifikimit të punimeve në Infrastruktur e gjithashtu edhe në hapjen e tenderëve që hapen për rrugë. Në këtë kohë veç është dashtë me kanë të përfunduara punimet ndërsa këto veç po vazhdojnë. Problem këtu pikë së pari është keqmenaxhimi edhe keqplanifikimi i Komunës së Prishtinës. Edhe kjo që është shqetësuese edhe që unë mendoj se ka me pas pasoja është cilësia e punimeve në këtë kohë, çdo punë që bëhet cilësia ka me kanë pikëpyetje për shkak të temperaturave të ulëta që janë duke mbretëruar në këtë kohë. Ndërsa tash në këtë kohë është dashtë veç komuna me implementu strategjinë kundrejt ndotjes së ajrit në Prishtinë, kjo që është problem për qytetarët për momentin”, ka thënë Retkoceri.

Ndërsa, Eman Rrahmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se këto punime po bëhen më shumë për shpenzim të buxhetit, pas siç tha ai, ju ka mbetur buxhet shtesë sepse nuk kanë arritur t’i çojnë përpara projektet.

“Unë kam reaguar disa herë në lidhje më punën që janë duke e bërë në komunën e Prishtinës për shkak se tash në pjesën e dytë të viti punët janë bërë më shumë për ta shpenzuar buxhetin që ju ka mbetur edhe nuk kanë arritur që m’i qu përpara projektin, edhe nëse e shikoni edhe nevojën e atyre rrugëve në të cilat është duke u intervenuar shumica e atyre rrugëve nuk kane nevojë fare të intervenohen. Por me qëllim që t’i shpenzojnë mjetet, ku rreth 40 milionë euro janë të pashpenzuara në investime kapitale, për 9 muaj është një gjendje jo e mirë. Edhe tash vetëm ku po gjejnë një hapësirë ligjore për më shpall një tender edhe me shtru do asfalt ata po ndërmarrin ata hapa edhe po shpenzojnë kot”, ka thënë Rrahmani.

Ai beson së rrugët të cilat janë duke u rregulluar tani nuk do të kenë jetëgjatësi më shumë se deri në pranverë.

“Ato rrugë të cilat po rregullohen tash nuk besojë që do të kenë jetëgjatësinë ma shumë se sa deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Unë e pashë edhe rrugën të cilën e kanë asfaltuar para një muaji te banesat e bardha, në lagjen Bregu i Diellit, veç se kish fillu me u dëmtu edhe pse nuk ka një muaj që është asfaltuar. Kështu që komuna është duke i shpenzuar mjetet, jo duke bërë ndonjë investim, kjo është edhe arsyeja pse është në këtë kohë duke i bërë këto “investime”, për shkak që nuk janë investime por vetëm shpenzime të buxhetit dhe dëmtim i buxhetit”, ka thënë Rrahmani.

Edhe asamblisti i LDK-së Agim Gashi ka akuzuar komunën për keqmenaxhim të këtyre punimeve. Ai thotë se punimet nuk do të duhej të zhvilloheshin në këtë kohë për shkak se mund të vije deri të dëmtimi i asfaltit.

“Kjo pyetje e ka përgjigjen e vet për arsye se këta janë vonuar me procedurat e prokurorimit. Unë nuk jam ekspert me vlerësu nëse është koha e përshtatshme por zakonisht nuk praktikohet gjatë sezonit dimëror shtrimi i asfaltit. këta e kanë bërë dimrit për shkak të vonesave të proceduarave të prokurorimit në start, d.m.th plani i prokurorimit ose është bërë keq ose nuk është realizuar sipas planifikimit. Unë nuk e njoh tekniken e ndërtimit por zakonisht nuk preferohet, ekspertet nuk preferojnë që kur ka lagështi dhe temperatura jo të përshtatshme që të shtrohen rrugët dhe të shtrihet asfalti. Edhe nuk është praktik tek ne që gjatë sezonit të dimrit të shtrohet rrugë dhe asfalt për shkak se mund të vijë deri të dëmtimi i asfaltit dhe nuk jemi të sigurt a kemi standardizu punën komfor klimës dhe rrethanave klimatike”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është kritikuar për mungesë të projekteve kapitale në kryeqytet.

Sipas raportit financiar të Komunës, nga 48 milionë euro sa janë në dispozicion për investime kapitale, janë shpenzuar vetëm 9 milionë e 456 mijë euro, apo 19.55 për qind. /Lajmi.net/