Shpend Ahmeti shkon në Lubjanë për përvoja të reja

Me ftesë të Kryetarit të qytetit të Lubjanës, Zoran Jankoviq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shkuar për një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë.

Lajme

25/09/2014 19:17

Duke marrë parasysh faktin se sivjet Lubjana ka fituar çmimin “Kryeqyteti i Gjelbër i Evropës”, gjatë takimit me homologun e tij, Shpend Ahmeti bisedoi lidhur me bashkëpunimin në fushën e ndërmarrjeve publike si dhe për rritjen e hapësirave të gjelbëruara në Prishtinë, thuhet në një njoftim për media nga Komuna e Prishtinës.

Kreu i Prishtinës e ka ftuar homologun e tij nga Lubjana për një vizitë në Prishtinë, me qëllim që të finalizohet me projekte konkrete bashkëpunimi midis këtyre dy qyteteve.

Me këtë rast, kryetari Ahmeti, i shoqëruar nga drejtori i administratës komunale, Muhedin Nushi, mori pjesë edhe në “Ljubljana Forum”, me temë “Smart Cities”, që është në funksion të zgjidhjeve inovative për shërbime ndaj qytetarëve.

Gjatë diskutimit në këtë forum, kompani të njohura u shprehën ta gatshme për ta ndihmuar Prishtinën në këtë drejtim.