Ahmeti: Pati rënie të qarkullimit te sektorët e prodhimit dhe tregtisë, i vetmi sektor me rritje qarkullimi ka qenë furnizimit me rrymë
Mbi 11 mijë biznese të reja u regjistruan në Kosovë nga janari deri në tetor të këtij viti – një shifër kjo që nga Qeveria në detyrë shihet si sinjal i gjallërisë ekonomike. Për ekspertët, megjithatë, numrat nuk tregojnë gjithë rrëfimin. Rritja e ekonomisë, sipas tyre, nuk matet me sa biznese hapen, por me sa…
Lajme
Mbi 11 mijë biznese të reja u regjistruan në Kosovë nga janari deri në tetor të këtij viti – një shifër kjo që nga Qeveria në detyrë shihet si sinjal i gjallërisë ekonomike.
Për ekspertët, megjithatë, numrat nuk tregojnë gjithë rrëfimin.
E derisa bizneset në vend kanë kaluar një vit të mbushur me sfida, të dhënat më të fundit për qarkullimin ekonomik zbulojnë një realitet më të ndërlikuar sesa rritja e numrit të bizneseve të reja.
Pas muajsh diskutimesh për gjendjen ekonomike, raportet e reja tregojnë se dy prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë po përballen me rënie të dukshme të qarkullimit, shkruan lajmi.net.
Të dhënat e përmbledhura nga platforma Data4X tregojnë se nga janari në shtator të këtij viti, qarkullimi ka rënë më së shumti pikërisht te sektorët e prodhimit dhe tregtisë – dy motorët kryesorë të ekonomisë së vendit.
Sipas këtyre të dhënave, i vetmi sektor që ka shënuar rritje ka qenë ai i furnizimit me energji elektrike. Shpend Ahmeti, bashkëthemelues i Data4X, thotë se rritja ekonomike nuk duhet matur vetëm me numrin e bizneseve të reja, por me qarkullimin real që ato gjenerojnë.
Ahmeti thekson se Kosova duhet të fokusohet më shumë në prodhim në mënyrë që të zëvendësojë importin me eksport brenda pak viteve.
Me mbështetje të qëndrueshme institucionale, ai vlerëson se deri në një miliard euro të importit mund të zëvendësohen nga prodhimi vendor.
“Produktet me potencial të lartë për eksport, të cilat mund të kontribuojnë në rritjen e përgjithshme ekonomike, janë: përpunimi i pijeve, ushqimet e konservuara pa bazë shtazore, tekstili dhe materialet ndërtimore”, thotë Ahmeti. /Lajmi.net/

