Shpend Ahmeti e pranon që do të merret në pyetje nga Vetëvendosje për jahtin
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pranuar që do të merret në pyetje nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi të enjten ka konfirmuar për herë të parë se ka qëndruar në një jaht në Budvë në shoqërinë e biznesmenit Blerim Devolli.

Lajme
Ditë më parë, deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, kishte thënë se Ahmeti do të thirrej për të dhënë shpjegime për qëndrimin e tij në jaht me Devollin, nëse raportimet e mediave do të rezultonin të sakta.
“Nëse është e Devollëve (jahti) do ta thërrasim Shpendin në përgjegjësi: Shpend, a e ke ditur? Si qytetar do t’i kërkoj llogari, pasi që vetë e kemi zgjedhur në atë post. Ai mund të thotë ‘e kam ditur’ dhe e merr përgjegjësinë për atë”, kishte deklaruar Konjufca në RTV Dukagjinit.
Tani, Ahmeti ka thënë se është i gatshëm të japë llogari. “Kur ta kemi mbledhjen e radhës do të shkoj me gjithë qejf, do t’jua shpjegoj”, është shprehur Ahmeti në emisionin “Jeta në Kosovë”.
“Jap përgjegjësi jo vetëm ndaj Vetëvendosjes, por edhe ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka thënë se nuk mendon se afera me jahtin do t’i kushtojë, duke shtuar se ka marrë shumë mesazhe mbështetëse ditëve të fundit.