Shpejtësia e NATO-s dhe ngecja e BE-së

NATO mund të garantojë paqen në Kosovë dhe në shtetet përreth. Por NATO nuk mund ta stabilizojë rrjedhën politike të Ballkanit Perëndimor. Për këtë duhet të ndodhë mëkëmbja e BE-së.

Opinion

03/12/2019 16:14

Shkruan: Blerim Shala

Po ta kisha edhe unë rrogën 400 Euro, do të mendoja të largohesha nga vendi im dhe të shkoja në Evropë.

Është kjo deklarata e Stevo Pendarovskit, Presidentit të Maqedonisë së Veriut, e bërë disa ditë më parë, në shfaqjen më evidente të sinqeritetit, të pafuqisë dhe të dëshpërimit të politikanit i cili do të duhej, në rrethana të zakonshme  (të cilat assesi nuk po krijohen në këto anë të Evropës), të ofrojë shpresë dhe besim për të gjithë qytetarët e shtetit të vet.

Çfarë ka thënë Presidenti i Maqedonisë së Veriut, në fakt është reflektimi më i mirë dhe më i sakt i mundshëm i një fryme dominuese politike dhe sociale në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat aktualisht kanë statusin e ‘ngrirë’  (apo të vendnumërimit), sa i përket perspektivës së integrimit në Bashkimin Evropian.

Çfarë kemi kuptuar në katër-pesë vitet e fundit është që prej Brukselit, këndejpari, kah ne, janë zhvilluar dy ndërmarrje a dy procese thellësisht kundërshtuese, sa i përket qasjes, synimeve, dinamikës.

Përpjekja gjithnjë e më evidente e Federatës së Rusisë për të kontribuar sa më shumë që është e mundur në destabilizimin e shteteve të kësaj pjese të Evropës, e cila ndryshe godet Perëndimin si të tillë, SHBA-në dhe Evropën, apo, Aleancën Veri-Atlantike dhe BE-në, ka hasë në përgjigje thelbësisht të ndryshme në Bruksel, në selinë e BE-së dhe të Paktit NATO, edhe pse me gjasë, analiza politike dhe e sigurisë e kësaj politike ruse, është identike.

Aleanca Veri-Atlantike ka përshpejtuar, në mënyrë thuaja dramatike, me një vendosmëri të pashoq që nga vitet e luftës në Kosovë, Projektin e zgjerimit të vet në këtë krah të Evropës. Grushtshteti i dështuar në Mal të Zi, pastaj përpjekja për ta provokuar konfliktin me prapavijë etnike në Maqedoni, bëri që Pakti NATO të intensifikojë ndërmarrjen e vet të rrumbullakësimit të hartës së vet në këtë pjesë të Evropës: Shqipëria ka hyrë në Aleancë qysh në vitin 2009-të, Mali i Zi këtë e bëri në vitin 2016-të, ndërsa Maqedonia Veriore pritet të ngrisë flamurin e vet në Bruksel, në pranverën e vitit të ardhshëm  (2020). Në Kosovë, Misioni i KFOR-it garanton praninë e Aleancës që nga vitit 1999-të.

Duhet thënë fare hapur: Po mos të kishte shtrirje të këtillë të Aleancës Veri-Atlantike në katër shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasyshë gjithë ‘investimin’ rus në dobësimin e mëtejmë të sigurisë dhe stabilitetit edhe ashtu të brishtë këndejapri, me siguri që në vitet e fundit do të kishte edhe tensionime të rrezikshme me mundësi për tu shndërruar në konflikte të hapta, me çfarëdo preteksti.

Këtij konkludimi i shkojnë për shtati edhe tendencat në rritje e sipër të popullizmit dhe nacionalizmit, të cilat në vitet e mbrama janë një lloj i ‘hibridit’ i ‘prodhimeve vendore’  (tradicionale), dhe atyre që kishin si shembull zhvillimet në vetë Evropën Perëndimore.

Sidoqoftë, teksa Aleanca Veri-Atlantike me një shpejtësi të pestë  (si thuhet), iu qas adresimit të kërcënimeve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në BE ndodhi e kundërta: Urdhëri suprem ekzekutiv ishte ai me të cilin nuk lejohet asnjë hap para i këtyre gjashtë shteteve në drejtim të BE-së.

Është thënë edhe më herët, shpeshherë madje: Nëse Aleanca Veri-Atlantike është hardware i stabilitetit afatgjatë të kësaj pjese të Evropës, BE-ja ka qenë  (dhe mbetet) software.

Por ja që në rastin e BE-së, jemi dëshmitarë të një ngecjeje të qëllimshme, të justifikuar me problemet e brendshme, apo, me reformën që do të duhej të bëhej muajve dhe viteve të ardhshme.

NATO Pakti me siguri mund të garantojë paqen në Kosovë, dhe në shtetet përreth.

Por NATO nuk mund ta stabilizojë, në aspektin afatgjatë, rrjedhën politike dhe qytetëruese të Ballkanit Perëndimor. Për këtë duhet patjetër të ndodhë mëkëmbja e BE-së, dhe kalimi, prej një afati dhe koncepti të padefinuar të ‘zgjerimit të Ballkanit Perëndimor’  (i cili mund të zgjasë dhjetëra vjet të plota), në një koncept dhe afat të qartë, i cili jo më larg se dhjetë vjet prej sot, do t’i përfshinte në familjen e vet edhe këto gjashtë shtetet e mbetura të kësaj pjese të Evropës.

Në të kundërtën, këndejpari ndoshta nuk do të ketë luftë  (për shkak të garancave të Paktit NATO), por do të ketë një rritje e madhe e problemeve të të gjitha llojeve, dhe një ekzod i heshtur i miliona vetave në drejtim të Evropës.