Shkup: Kriminelët e kanë vendin në burg, jo në qeveri

E mbylla dyqanin, i mblodha gjërat e mia dhe erdha në Shkup, thotë demonstruesi 45-vjeç, Andrej Poposki, i cili ka udhëtuar me autobus nga qyteti i Prilepit, rreth 130 km në jug të Shkupit.

Lajme

17/05/2015 14:49

Duhet të qëndrojmë dhe të konfrontohemi me kriminelët. Ata vendin e kanë në burg, jo në qeveri, tha Poposki për agjencinë e lajmeve Reuters.

Njëjtë si ky, me mijëra protestues kundër qeverisë tashmë janë mbledhur në Shkup, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Gruevski pas skandalit të përgjimeve, transmeton Gazeta Express.

Turmat pushtuan sheshin qendror para zyrës së qeverisë, ku shumë prej tyre kanë arritur me autobusë nga qytete tjera, duke valuar flamurin maqedonas, raporton Reuters.

Liderët opozitarë thonë se disa protestues po planifikojnë të ngrenë kampe në rrugë deri në dorëheqjen e Gruevskit, duke e akuzuar atë për shtypje të demokracisë pas zbulimit të përgjimeve telefonike për të cilat Perëndimi thotë se kanë vënë në dyshim demokracinë shtetërore të Maqedonisë.

Gruevski, pas nëntë vjetësh në pushtet dhe deklarimit se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, ka ftuar për një tubim në Shkup për të hënën mbrëma.