Shkollat në Kosovë që punojnë me plan-program të Serbisë, hapen më 1 qershor

Shkollat që në Kosovë funksionojnë në bazë të plan-programit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë do të hapen më 1 qershor. Sipas “radiokim.net”, në shkollat në vendet e banuara me serbë po bëhen përgatitjet e fundit për hapje të shkollave.

Lajme

26/05/2020 17:20

shte ministri i Arsimit i Serbisë, Mladen Sharçeviq që kishte paralajmëruar hapjen e shkollave të këtij vendi më 1 qershor. Në vendet e banuara me serbë, shkollat ende funksionojnë si pjesë e sistemit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës ende nuk kanë marrë vendim për hapje të shkollave, që janë mbyllur në mes të marsit pas paraqitjes së koronavirusit. Pritet që shkollat për nxënësit e klasave të dymbëdhjeta dhe të nënta e po ashtu çerdhet, të hapen muajin e ardhshëm.

Në Llapnasellë funksionon shkolla ekonomiko-tregtare e “Prishtinës”. Drejtoresha e kësaj shkolle, Dragica Mitiq ka thënë për RTV Kim që shkolla, në bazë të rregullave të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, do të hapet më 1 qershor.

“Prej 1 deri më 3 qershor nxënësit që nuk janë të kënaqur me notat e përfunduara, mund t’i përmirësojnë ato nota. Më pas fillohet me provimin e maturës, që përbëhet nga katër pjesë dhe që kryhet brenda katër ditëve. Ditën e parë është provimi nga gjuha serbe, ditën e dytë nga puna praktike, më pas mbrojtja e punës praktike dhe ditën e katërt është provimi nga lënda zgjedhore. Pres që provimet të përfundojnë deri më 8 qershor”, ka thënë Mitiq.

Në këtë shkollë viti shkollor përfundon më 15 qershor. Edhe semi-maturantët më 1 qershor do të kthehen në shkollën fillore në Llapnasellë.

“Janë të detyruar të vijnë për të marrë testet. Në bazë të rekomandimeve, do të marrin edhe një test provues, ku vetë nxënësit do të shohin aftësitë e tyre”, ka thënë Lubisha Karagjiq, drejtor i shkollës fillore “Miladin Mitiq”.

Madje në shkollat serbe në Kosovë nuk e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së mbrëmjes së maturës, ndonëse kjo sipas institucioneve kosovare nuk është e mundur. Në shkollën në Llapnasellë po presin përgjigje nga ministria e Serbisë lidhur me mbrëmjen e maturës.

Komuniteti serb në Kosovë vazhdon që në masë të madhe të funksionojë si pjesë e sistemit të shtetit të Serbisë. Ndër të tjera nën ombrellën e Serbisë funksionon edhe sporti, jo vetëm në pjesën veriore të vendit, por edhe në pjesë tjera.

Sa i takon pandemisë së koronavirusit, komuniteti serb kryesisht ka respektuar masat e institucioneve të Kosovës.