Shkolla greke përjashton 10-vjeçaren shqiptare – shkak numri i madh i nxënësve
Në epiqendër të mediave greke orët e fundit ka qenë një ngjarje serioze ndaj një nxënëse 10 vjeçe me origjinë shqiptare që ka ngjallur reagime në opinionin publik të vendit. Sipas masave të reja të Ministrisë së Arsimit për shkrirjen e klasave në shkolla me maksimum 25 nxënës, Drejtoria e Arsimit lokal ka vendosur të…
Lajme
Në epiqendër të mediave greke orët e fundit ka qenë një ngjarje serioze ndaj një nxënëse 10 vjeçe me origjinë shqiptare që ka ngjallur reagime në opinionin publik të vendit.
Sipas masave të reja të Ministrisë së Arsimit për shkrirjen e klasave në shkolla me maksimum 25 nxënës, Drejtoria e Arsimit lokal ka vendosur të përjashtojë nga shkolla 10-vjeçaren në fshatin Simantra të Halkidhikisë për të mos krijuar një klasë të dytë paralele me klasën e 5-të të shkollës fillore, shkruan Top Channel.
Tashmë nxënësja në fjalë duhet të ndjekë mësimet në një shkollë në fshatin fqinj, konkretisht në Portaria, që ndodhet 8 kilometra larg dhe familja nuk mund ta dërgojë atje.
Babai i vogëlushes, Altin Tocila, dëshmon se një ditë pas ceremonisë së nisjes së vitit shkollor , drejtoresha i ka njoftuar vendimin e përjashtimit të Drejtorisë së Arsimit, pasi klasa e 5-të ka 26 fëmijë dhe nuk mund të ketë edhe një nxënës tjetër.
Pasi prindërit e vajzës kanë kundërshtuar drejtoresha ka lajmëruar policinë për të nxjerrë fëmijën nga ambientet e shkollës. Dhjetëvjeçarja madje u tremb dhe ka filluar të qajë ndaj babai e ka marrë me vete në punën e tij gjatë gjithë ditës, sipas Top Channel.
Familja në fjalë ka edhe një fëmijë tjetër më të madh që shkon në gjimnazin e Mudhaniasë, 9 kilometra larg dhe nuk mund të përballojë transportin e dy fëmijëve dhe as ta lërë një 10-vjeçare të shkojë në shkollën e fshatit fqinj vetëm me autobusin e linjës.
Duke denoncuar këtë ngjarje shoqata e Mësuesve të Arsimit Fillor të rajonit shpalli ndalesë pune dhe protestë dje në mesditë para Drejtorisë Arsimore në Polygyros të Halkidhikisë.
Nga ana e tyre organet vendore të arsimit,pas publikimit të ngjarjes dhe reagimeve, kanë deklaruar se po përpiqen të gjejnë një zgjidhje duke bërë një përjashtim për numrin e nxënësve në rastin në fjalë.