Shkencëtarët arrijnë të zbulojnë një specie të re njerëzore

Shkencëtarët kanë zbuluar një specie të re njerëzore në Filipine. Ata e kanë quajtur “Homo Luzonensis”, nga ishulli Luzon ku u gjetën fosilet 50 mijë vjeçare.

Fun

11/04/2019 15:22

Karakteristikat e saj fizike janë një përzierje të njerëzve të lashtë dhe atyre që jetojnë sot. Fosilet u përkasin dy personave të rritur dhe një të riu dhe ato përfshijnë eshtrat e gishtave dhe dhëmbëve. Gjithashtu është zbuluar edhe femuri i një fëmije.

“Dhëmbët janë me të vërtetë të vegjël. Masa e dhëmbëve në përgjithësi, ndonëse jo përherë, reflekton përmasën e trupit të gjitarit kështu që ne mendojmë se Homo Luzonensis ka qenë relativisht i vogël”, shprehet Philip Piper, një prej drejtuesve të ekipit që bëri zbulimin.

Filipinet kanë fituar rëndësi të madhe së fundmi për disiplinën e paleontologjisë, pasi vetëm në shpellën ku është gjetur specia më e fundit, pak kohë më parë u zbuluan mbetjet e një rinoceronti të therur, që daton rreth 700 mijë vjet më parë.

Kjo shpjegon se njeriu ishte prezent në Filipine në këtë periudhë, ndonëse shkencëtarët nuk janë në gjendje të sqarojnë se për cilin hominin bëhet fjalë. /Top Channel/