Shkarkimet e bordeve të papranueshme për AAK-në

Vendimet e Qeverisë Kurti për shkarkimet e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike, janë të papranueshme për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Lajme

24/02/2020 13:15

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, ka thënë se me këto shkarkime po krijohet precedent i ri, që sipas tij, Kosova nuk e ka pasur më herët.

“Përgjegjësia kolektive nuk ekziston sot. Pra nëse duhet me dhënë komentin se çfarë kanë qenë efektet e këtyre shkarkimeve mendoj që sot është përgjegjësia individuale dhe mendoj që ka shumë njerëz të cilët e kanë kryer punën e tyre me moralin më të madh. Metoda si e kanë aplikuar që kolektivisht kanë filluar t’i shkarkojnë, mendoj që është po krijohet një precedent, të cilën Kosova përpara nuk e ka pasur dhe mendoj që kjo metodë e spastrimit të bordeve pa një analizë paraprake dhe pa adresim konkret të njerëzve se përse janë shkarkuar, është një precedant që mendoj që nuk duhet të ndodh në Kosovë”, ka thënë ai në një prononcim për Ekonomia Online.

Abrashi ka thënë se insiston te Qeveria Kurti, që mos të ndërmarrë metoda të tilla, që sipas tij nuk ka përgjegjësi kolektive sot por ka vetëm përgjegjësi individuale.

“Nuk jam i prirë me paragjykua partitë në pushtet. Mbetet të shohim në ditët e ardhshme se çfarë ka qenë ideja e këtyre shkarkime, por kjo metodë dhe kjo mënyrë është e papranueshme edhe insistoj te Qeveria mos të implikojë praktika të natyrës së tillë, për shkak se nuk ka përgjegjësi kolektive sot, ka vetëm përgjegjësi individuale”, ka thënë ai.

Me gjithë përpjekjet e Ekonomia Online për të marrë një deklaratë nga Qeveria e Kosovës lidhur me atë se cilat procedura po ndjek në rastin e këtyre shkarkimeve, nuk ka arritur të merr një përgjigje.

Qeveria e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur punën me shfuqizimin e vendimeve të qeverive paraprake si dhe me shkarkimin e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar edhe shkarkime të tjera, në veçanti të bordeve të ndërmarrjeve publike. Kurse, zëvendësi i parë i tij, Avdullah Hoti ka thënë se ky është vetëm fillimi, duke lënë të nënkuptohet se “operacioni i largimeve” do të vazhdojë.