Shifra të larta: Mbi 6 mijë qytetarë kanë marrë viza pune në Kroaci gjatë vitit 2024 , shumë të tjerë për bashkim familjar
Çdo ditë e më shumë, qytetarët e Kosovës po mbushin aeroplanët dhe autobusët drejt Evropës, duke lënë pas vendin e tyre me shpresën për një jetë më të mirë. Dëshpërimi që kanë nga papunësia, ekonomia e ulët, pagat e pakënaqshme e çmimet “astronomike” edhe në nevojat bazë po e bën edhe më të nevojshme ikjen…
Lajme
Çdo ditë e më shumë, qytetarët e Kosovës po mbushin aeroplanët dhe autobusët drejt Evropës, duke lënë pas vendin e tyre me shpresën për një jetë më të mirë.
Dëshpërimi që kanë nga papunësia, ekonomia e ulët, pagat e pakënaqshme e çmimet “astronomike” edhe në nevojat bazë po e bën edhe më të nevojshme ikjen e tyre nga vendi.
Shpesh herë vendet e Evropës u panë si zgjidhje e qytetarëve të Kosovës, e ndër vendet ku shkuan më së shumti padyshim se janë: Gjermania, Sllovenia, Kroacia e shumë të tjera.
Kroacia gjatë vitit 2024 ka qenë një ndër portat e reja të shpresës, e cila ka mirëpritur mijëra kosovarë që kërkojnë punë dhe bashkim familjar.
Të dhënat e fundit tregojnë një prirje shqetësuese: çdo vit, gjithnjë e më shumë qytetarë po zgjedhin ta ndërtojnë të ardhmen larg Kosovës, duke e kthyer këtë largim në një “trend” për qytetarët e Kosovës.
Në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e brendshme kroate bëhet e ditur se mijëra qytetarë të Kosovës po vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre në kërkim të mundësive më të mira, shkruan lajmi.net.
Deri më 31 dhjetor 2024, Kroacia ka dhënë 6,433 leje qëndrimi të përkohshme për qëllime pune dhe 1,113 për bashkim familjar për qytetarët e Kosovës.
“Në lidhje me kërkesën tuaj, ju informojmë se nga inspektimi i të dhënave zyrtare, mbajtja e të cilave është në juridiksionin e kësaj Ministrie, ka konstatuar se janë në Republikën e Kroacisë, me datë 31.12.2024. Në vit, shtetasve të Republikës së Kosovës u janë dhënë 6,433 lejeqëndrim të përkohshëm për qëllime martese, ndërsa 1,113 shtetasve të Republikës së Kosovës lejeqëndrim të përkohshëm me qëllim të bashkimit familjar”,thuhet në përgjigje.
Ministria e Brendshme e Kroacisë, në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se krahasuar me vitin 2023, është vërejtur një ulje në lejet e punës, por një rritje e ndjeshme e lejeve për bashkim familjar, duke treguar se shumë kosovarë po zgjedhin të krijojnë një jetë të re jashtë vendit bashkë me familjet e tyre.
Nga kjo ministri u theksua se sipas tyre pati ulje të numrit për mbi 1 mijë lejeqëndrime të lëshuara.
Sipas kësaj ministrie, procedurat për marrjen e vizave kroate nuk kanë ndryshuar as pas liberalizimit të vizave.
Bazuar në këto të dhëna, Kroacia po bëhet një destinacion i preferuar për qytetarët që kërkojnë stabilitet ekonomik dhe mundësi të reja për të ardhmen.
Shumë nga të rinjtë e Kosovës vazhdojnë të aplikojnë për viza pikërisht në shtetin kroat, ku mundësia e punës e pagat më të mira ua bëjnë këtë situatë edhe më të favorshme./Lajmi.net/