Shifra alarmante të rasteve të dhunës në familje – ku të kërkohet faji?

Dhuna në familje është një problem që po e preokupon në baza ditore shoqërinë kosovare.

Lajme

20/07/2019 23:09

Nëpër raportet ditore të policisë – asnjëherë nuk mungojnë rastet e tilla, të cilat jo rrallë rastis t’i hasim edhe vet ose të dëgjojmë për to kudo.

Statistikat e Policisë së Kosovës për rastet e dhunës në familje të cilat janë raportuar për vitin 2018, janë saktësisht, 1533 raste të dhunës në familje të lajmëruara, shkruan lajmi.net.

Për periudhën e gjashtë mujorit të parë të vitit 2019 – janë saktësisht 785 raste të dhunës në familje e ku në shumicën e rasteve, viktima të dhunës janë gratë dhe fëmijët.

Por, pse po ndodhin raste të tilla?

Sociologu Jeton Brajshori është shprehur se sistemi patriarkal i cili ka mbizotëruar me vite në vendin tonë ka ndikuar që ende të ketë raste të tilla.

“Meqenëse me vite kemi jetuar në një sistem patriarkal ku edhe sot në shekullin 21 ka shumë rajone ku femra ende quhet “rob”, dhe si pasojë ajo është e detyruar edhe pa dëshirën e saj të përjetojë lloj-lloj përvoja dhe përjetime ose nga burri ose nga familja e burrit”, tha Brajshori.

Më tutje Brajshori ka cekur disa lloje të ndryshme të dhunës dhe abuzimit që mund të ndodhin në familje.

“Ekzistojnë disa lloje të dhunës dhe abuzimit si, fizik(rrahja e gruas ose fëmijëve për arsye të ndryshme duke filluar nga problemet me alkool, drogë, borxhe e deri tek xhelozia), abuzimi ose dhuna emocionale (duke bërë presion të vazhdueshëm që shkakton ankth, trauma dhe depresion, ndërsa te femrat për shkak që të mos i fusin në probleme familjet e bartin krejt këtë në vete), kemi abuzimin ose dhunën seksuale (ku kemi raste që burri jo vetëm që ka shkaktuar dhunë seksuale, por edhe ka prostituuar gruan e tij në shkëmbim të parave”, tha Brajshori.

Sociologu Brajshori gjithashtu ka përmendur se ka pasur raste të tilla – të cilat të neglizhuara nga institucionet e sigurisë kanë përfunduar edhe me fatalitet.

“Në vendin tonë kemi pasur mjaft raste të dhunës në familje dhe raste shumë të rënda të vrasjeve të tyre, duhet cekur se edhe organet përgjegjëse i kanë neglizhuar mjaft këto raste të cilat në mungesë të mbrojtjes kanë përfunduar në fatalitet, gjë që shkakton trauma permanente tek fëmijët të cilët kanë qenë dëshmitar të vrasjes së nënës nga babi”, tha Brajshori për lajmi.net.

Brajshori shtoi se femrat në Kosovë janë të margjinalizuara dhe kjo dërgon në atë se shumicën e kohës ato janë viktimë e dhunës.

“Duhet të punohet më shumë dhe më me përgjegjësi në këtë drejtim ku femra të trajtohet si duhet edhe nga familja e burrit, po ashtu edhe nga familja e vet, kur dihet se shumica e femrave janë të përjashtuara nga trashëgimia, tani jetojnë në një epokë tjetër, ku edhe puna e divorcit konsiderohet diçka tabu siç është konsideruar më herët, duke thënë se divorci e prish martesën, por jo familjen, gjë që është bërë me favor të dy palëve”, tha sociologu Brajshori.

Më tutje, ai ka shtuar se edhe pse kemi shumë organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave, ende jemi shumë larg cakut të dëshiruar.

Kohëve të fundit rasti që ka bërë më së shumti bujë është ai kur në Gjakovë, Pjetër Nrecaj vrau gruan dhe vajzën e tij.

Në Kosovë po zhvillohen kampanja të cilat tregojnë për rëndësinë e raportimit për rastet e dhunës në familje –një tjetër dukuri shqetësuese, pasi raste të shumta nuk raportohen. /Lajmi.net/