Sheremeti: Verdikti i Hagës nuk ishte në emrin tonë, të bëhemi bashkë për UÇK-në

Aktori Kushtrim Sheremeti ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kundërshtuar përmbajtjen e vendimit dhe duke bërë thirrje për bashkim. Sheremeti ka thënë se vendimi nuk e ka trajtuar, sipas tij, në mënyrë objektive luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. “Dhe duke qenë…

Lajme

28/09/2026 21:49

Aktori Kushtrim Sheremeti ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kundërshtuar përmbajtjen e vendimit dhe duke bërë thirrje për bashkim.

Sheremeti ka thënë se vendimi nuk e ka trajtuar, sipas tij, në mënyrë objektive luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Dhe duke qenë të bindur se të qenit i lirë i heronjve tanë, çlirimtarëve, udhëheqësve të Luftës Çlirimtare dhe themeluesve të shtetit të Kosovës ishte i padrejtë, i paligjshëm, i pambrojtshëm dhe i ndikuar”, ka thënë ai.

Ai ka kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja e Serbisë në aktgjykim.

“Dhe po ashtu, në të gjitha faqe-mëse-faqet e gjykimit nuk përmendet asgjë kundër Serbisë si pushtuese. Pra, gjyqtarët që paguhen me ligjet e Kosovës e bëjnë një veprim të tillë të paimagjinueshëm”, është shprehur Sheremeti.

Më tej, ai ka kundërshtuar që aktgjykimi të jetë dhënë në emër të popullit të Kosovës.

“Por ne nga këtu u thejme atyre dhe të gjithëve se ai verdikt nuk ishte në emrin tonë! Nuk ishte në emër të familjeve tona! As të sakrificës sonë! As të mundit tonë! As të dëshmorëve tanë!”, ka deklaruar ai.

Sheremeti ka bërë thirrje për bashkim, pavarësisht dallimeve politike.

“Kemi të drejtë të votojmë ndryshe. Kemi të drejtë të mos kemi përputhje politike. Por askush nga ne nuk ka të drejtë, kur gjendemi në këtë situatë, kur na preket e shenjta jonë, të refuzojmë të jemi bashkë!”, ka thënë ai.

Në fund, Sheremeti ka ftuar qytetarët që të bashkohen në mbështetje të UÇK-së dhe shtetit të Kosovës.

“Prandaj sot, e shfrytëzoj rastin që në emër të të gjithë juve t’ju ftoj të gjithëve që të bëhemi bashkë. Bashkë për lirinë tonë! Për UÇK-në tonë! Për fëmijët tanë, për të ardhmen e familjeve tona! Për shtetin tonë, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka përfunduar Sheremeti. /Lajmi.net/