Shenoll Muharremi: SHBA ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën – dita më e zezë për Kurtin dhe Vetëvendosjen
Njohësi i çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Shenoll Muharremi, ka reaguar pas pezullimit të dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke e cilësuar këtë si ditën më të zezë në historinë politike për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, ky është mesazhi më i ashpër diplomatik që SHBA i ka…

Lajme
Njohësi i çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Shenoll Muharremi, ka reaguar pas pezullimit të dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke e cilësuar këtë si ditën më të zezë në historinë politike për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, ky është mesazhi më i ashpër diplomatik që SHBA i ka dërguar ndonjëherë një qeverie të Kosovës, dhe një paralajmërim i qartë se politikat e kryeministrit Kurti po dëmtojnë rëndë marrëdhëniet me aleatin kryesor të vendit, transmeton lajmi.net.
“SHBA sot ka pezullu pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën. Kjo vjen pas masave të BE-së të cilat, përveç projekteve, kanë stopuar edhe avancimin e Kosovës në BE për vite,” shkruan Muharremi.
Ai shton se në deklaratën amerikane, Kryeministri Kurti përmendet si arsye kryesore për pezullimin, për shkak të qëndrimeve dhe veprimeve që kanë kontribuar në rritjen e tensioneve dhe pasigurisë, duke pamundësuar një bashkëpunim të frytshëm me SHBA-në.
“Deklarata është e drejtëpërdrejtë dhe tregon që veprimet dhe deklaratat e KM Kurti kanë rritë tensionin dhe paqëndrueshmërinë. SHBA e sheh qeverinë kujdestare si pengesë në marrëdhëniet mes dy vendeve,” thekson ai.
Megjithatë, Muharremi vlerëson se përkrahja e SHBA-së për popullin e Kosovës mbetet e fortë, dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë – por me një qeveri tjetër që nuk minon partneritetin strategjik.
Ai i bën thirrje qytetarëve të reflektojnë seriozisht në këtë moment kritik:
“A e kemi ne luksin me e rreziku aleancën më të rëndësishme që kemi? Kosova është ndërtu mbi partneritetin me SHBA. Pa të, vështirë se ka paqe, stabilitet, e as ekonomi të qëndrueshme,” përfundon Muharremi.
Në analizën e tij, ai nënvizon se argumenti i votës dhe legjitimitetit nuk mjafton, nëse lidershipi nuk është në gjendje të ruajë aleancat që garantojnë sigurinë kombëtare: “Demokracia nuk t’i ruan kufijtë. KFOR-i, NATO dhe SHBA-ja po.”./lajmi.net/