Shefi i ESM-së: Fondi evropian i krizave, me vlerë mbi 430 miliardë euro, mund të përdoret për mbrojtje
Një fond evropian i krizave, i cili e ka vlerën e më shumë se 430 miliardë eurove në fuqi zjarri, mund të përdoret për t’u dhënë hua shteteve për mbrojtje, i tha agjencisë “Reuters” drejtori i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, kur blloku po mundohet që t’i fuqizojë forcat e armatosura. Pierre Gramegna, drejtor menaxhues i…
Bota
Një fond evropian i krizave, i cili e ka vlerën e më shumë se 430 miliardë eurove në fuqi zjarri, mund të përdoret për t’u dhënë hua shteteve për mbrojtje, i tha agjencisë “Reuters” drejtori i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, kur blloku po mundohet që t’i fuqizojë forcat e armatosura.
Pierre Gramegna, drejtor menaxhues i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM), tha se ky fond mund të ofrojë linja kreditore për mbrojtje dhe nuk do të kërkonte reformë të rreptë ekonomike në këmbim, pjesërisht për të larguar ndonjë stigmatizim që mund të ngrihet nga kërkimi i të hollave nga fondi urgjent i eurozonës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Në këto kohë të trazirave gjeopolitike, të cilat kanë nxitur shpenzime më të larta, kosto të mbrojtjes për të gjitha shtetet, ne duhet ta përdorim potencialin e plotë të ESM-së” – tha Gramegna.
Ai e përmendi përdorimin e linjave të kredive për mbrojtje nga shtetet që janë në gjendje të mirë financiare por buxhetet e të cilave janë të tendosura, sidomos kur bëhet fjalë për shtetet më të vogla të eurozonës.
“Ne kemi instrumente. Është në interesin më të mirë të Evropës… që të shfrytëzohet potenciali i plotë” – shtoi Gramegna.
“Është e qartë se marrëdhënia mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara po bëhet gjithnjë më me gunga” – tha më tej drejtori i ESM-së.
Komentet e tij lënë të kuptohet se ka një gatishmëri për përdorimin e rezervës së madhe evropiane për fuqizimin e vendeve të eurozonës, sidomos të shteteve baltike që kufizohen me Rusinë, edhe pse kreditë fillimisht duhet të nënshkruhen nga shtetet e eurozonës që e mbështesin ESM-në.