SHBA-të: Nuk ka kushte të reja për Serbinë

Nuk ka kushte të reja për Serbinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ndërsa hapja e kapitujve të parë të negociatave mund të pritet qysh gjatë këtij viti, deklaroi sot Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Michael Davenport.

Lajme

13/04/2015 23:48

Ambasadori amerikan tha se nuk di çka ka pasur parasysh shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili mbrëmë ka deklaruar se BE-ja vazhdimisht po vendos kushte të reja.

“Si ka thënë Mogherini gjatë vizitës së saj në Beograd – nuk ka kushte të reja. Mbase z. Daçiq ka parasysh ndonjë gjë konkrete që nevojitet për të hapur një apo dy kapituj. Nuk e di, do të duhej të kërkonit nga ai përgjigje”, tha Davenport duke folur për gazetarë para tribunës në Komunën hebraike në Suboticë.

Davenport konsideron se “të gjithë janë të vetëdijshëm” që ka shumë detyra, dhe se për këtë arsye dëshirohet që negociatat për anëtarësim të Serbisë në BE të fillojnë me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, kundër diskriminimit dhe për lirinë e medieve. Davenport nuk e përmendi si kusht për anëtarësimin e Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës.