Shala kërkon përgatitjen e kalendarit kulturor me Shqipërinë

Në vazhdën e takimeve të fundvitit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti drejtuesit e Institucioneve Nacionale të Kulturës, me të cilët bisedoi rreth realizimit të programit të punës për vitin që po e lëmë pas dhe, njëkohësisht, për sfidat me të cilat u ballafaquan këto institucione.

Lajme

28/12/2015 16:51

Ministri Shala theksoi se institucionet nacionale, pas pavarësimit financiar të tyre, bërë gjatë këtij viti, edhe në vitin 2016 do të jenë prioritet i përcaktuar qartë në politikat e Qeverisë. Kjo do të shoqërohet edhe me rritje të buxhetit dhe me përkrahje të gjithanshme të tyre.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Kulturës, si çështjet parësore ministri Shala theksoi objektivat e punës së Institucioneve të Kulturës.

“Rëndësi të veçantë gjatë këtij takimi iu kushtua edhe Kalendarit të Përbashkët Kulturor me Republikën Shqipërisë. Me këtë rast, ministri Shala pas këtij viti të suksesshëm të bashkëpunimit ndërshqiptar në fushën e kulturës, kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve të kulturës që të përgatisin programin e Kalendarit për vitin 2016”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, drejtuesit e institucioneve raportuan për punën dhe të arriturat e institucioneve gjatë vitit 2015, si dhe u zotuan se gjatë vitit 2016 institucionet nacionale do të rrisin dinamikën dhe cilësinë e punës.

Në fund të këtij takimi, ministri Shala i përgëzoi drejtorët e Institucioneve të Kulturës për punën e tyre dhe kërkoi angazhim maksimal, në funksion të zhvillimit të kulturës nacionale të Kosovës.