Serbia i pranon investimet energjetike të Amerikës – konfirmohet nga Vuçiq

Pavarësisht raporteve të mira me Rusinë e Kinën, sipas Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që në vendin e tij, “me vlerë të investimeve do t’i tejkalojnë të gjitha superfuqitë”. Në një intervistë dhënë mediumit amerikan, Breitbart News, Vuçiq vë theksin tek projektet energjetike amerikane, përfshirë gazin natyror e…

Lajme

04/06/2026 23:33

Pavarësisht raporteve të mira me Rusinë e Kinën, sipas Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që në vendin e tij, “me vlerë të investimeve do t’i tejkalojnë të gjitha superfuqitë”.

Në një intervistë dhënë mediumit amerikan, Breitbart News, Vuçiq vë theksin tek projektet energjetike amerikane, përfshirë gazin natyror e hidrocentralet – të cilat, sipas tij do të finalizohen së shpejti. Një investim energjetik, që planifikohej të realizohej në Kosovë nga kompanitë e ardhura nga SHBA-të, Termocentralin “Kosova e Re”, e kishte refuzuar brutalisht Vetëvendosje edhe në opozitë edhe në pushtet. Projektet e gazit amerikan s’ishin mbështetur as përmes avancimit dhe implementimit nga Marrëveshja e Uashingtonit.

“…kompanitë amerikane së bashku me ne do të investojnë në një nga projektet më të mëdha në lidhje me sektorin e energjisë, dhe ka shumë prej tyre, por duhet të përmend një, ne e quajmë Iron Gate. Është një Iron Gate në Danub afër kufirit me Rumaninë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një hidrocentrali… kompanitë amerikane do të punojnë me ne në këtë, dhe ka kompani të paneleve diellore që do të ndërtojnë fusha të mëdha me panele diellore në të njëjtën kohë”, i tha Vuçiq, mediumit amerikan.

Vuçiç, flet edhe për projekte të tjera në sektorin e energjisë elektrike, të cilat pret që Serbia t’i realizojë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për gazin natyror e të lëngshëm amerikan.

“…amerikanët që sigurojnë Portin e Barit dhe mundësinë që ata të sjellin anije të mëdha me gaz të lëngshëm amerikan në Portin e Barit në Mal të Zi dhe pastaj të ndërtojnë ose rinovojnë dhe ringjallin një hekurudhë midis atij porti në Mal të Zi dhe Beogradit”, thotë Vuçiç

“Ne do të duhet të investojmë shumë në këtë, përveç kësaj një tubacion gazi nga Bari në Beograd, dhe një tubacion nafte”, shton

“Pse po e them këtë është sepse sjellja e sasive të gazit të lëngshëm  në Serbi do të thotë gjithashtu, dhe kjo është ajo që kemi diskutuar tani me partnerët tanë amerikan, ndërtimin e shumë qendrave të të dhënave kryesisht private, por edhe shtetërore, nga kufiri i Malit të Zi deri në Kragujevc, që është në zemrën e Serbisë, dhe natyrisht përdorimin e gazit për ftohjen e këtyre qendrave të të dhënave dhe kursimin e të paktën deri në 30 për qind të rrymës”, thotë Vuçiq.

Kosova, nën ndikimin e rrymës kundërshtuese të Vetëvendosjes, veproi ndryshe përballë amerikanëve. Kontrata e arritur në vitin 2017 me kompaninë , “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re nuk u zbatua kurrë. Madje, u kundërshtua fuqishëm. Për pasojë, në vitin 2023, Kosova humbi në Gjykatën e Arbitrazhit përballë kompanisë amerikane dhe u detyrua t’ia paguajë 20 milionë euro dëmshpërblim.

Vetëvendosje e kundërshtonte, pavarësisht se amerikanët kishin kërkuar specifikisht që “Kosova e Re” të realizohej. Sipas tyre, ky projekt “ishte jetik që Kosova të mos binte nën ndikimin e rrjetit rus për energji elektrike”.

Kosova sërish, është para një shansi, të fundit ndoshta të dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Anu Prattipati, ia ritheksoi të enjten Kosovës se ka shpenzuar 735 milionë euro vetëm për import të energjisë elektrike, dhe se ka ardhur momenti “t’i bashkohet projektit amerikan për Gazin Natyror të Lëngshëm”.