Auditimi për Zyrën e Presidentes: 10 pozita me ushtrues detyre, 6 kontrata pa monitorim – mbi 500 mijë euro të pashpenzuara

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë parregullsish dhe dobësish në funksionimin e Zyrës së Presidentes gjatë vitit 2025, duke evidentuar probleme në menaxhimin e stafit, monitorimin e kontratave dhe sistemin e kontrollit të brendshëm. Sipas raportit të auditimit, një nga gjetjet kryesore lidhet me mbajtjen e pozitave nga ushtrues detyre për periudha…

Lajme

04/06/2026 22:06

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë parregullsish dhe dobësish në funksionimin e Zyrës së Presidentes gjatë vitit 2025, duke evidentuar probleme në menaxhimin e stafit, monitorimin e kontratave dhe sistemin e kontrollit të brendshëm.

Sipas raportit të auditimit, një nga gjetjet kryesore lidhet me mbajtjen e pozitave nga ushtrues detyre për periudha më të gjata sesa lejon legjislacioni. Auditimi ka konstatuar se në 10 raste pozita të ndryshme janë mbuluar nga ushtrues detyre për më shumë se dy vjet, shkruan lajmi.net.

“Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se afati i paraparë ligjor rrezikon që pozita të ndryshme të mbahen nga persona që nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara për pozitat adekuate”, thuhet në raport.

Një tjetër mangësi e evidentuar ka të bëjë me menaxhimin e kontratave publike. Auditorët kanë gjetur se në gjashtë raste nuk është përdorur moduli për menaxhimin e kontratave në sistemin e e-prokurimit dhe nuk është bërë vlerësimi i performancës së kontraktorëve.

Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së njohurive të nevojshme nga menaxherët e kontratave dhe mbikëqyrësit, si dhe mungesës së mbështetjes së mjaftueshme nga zyra e prokurimit.

Raporti vëren gjithashtu se Njësia e Auditimit të Brendshëm nuk kishte përgatitur planin vjetor të auditimit për vitin 2025, duke krijuar rrezik për dobësim të kontrollit dhe mbikëqyrjes së proceseve të brendshme.

Sa i përket financave, Zyra e Presidentes kishte një buxhet fillestar prej 6.13 milionë eurosh, por pas shkurtimeve buxhetore buxheti final zbriti në 4.87 milionë euro. Gjatë vitit 2025 janë shpenzuar 4.36 milionë euro, ose rreth 90 për qind e buxhetit përfundimtar.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve ka shkuar për mallra dhe shërbime, ku janë shpenzuar mbi 2.44 milionë euro. Për paga dhe mëditje janë shpenzuar rreth 1.25 milion euro, ndërsa për subvencione dhe transfere mbi 414 mijë euro. Investimet kapitale kanë arritur në 253 mijë euro.

Auditimi tregon se shpenzimet e Zyrës së Presidentes kanë shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2024 ishin shpenzuar 3.13 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 shpenzimet kanë arritur në 4.36 milionë euro.

Për adresimin e mangësive të evidentuara, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që menaxhmenti të sigurojë plotësimin e pozitave përmes procedurave të rregullta të rekrutimit, të forcojë kontrollin e brendshëm dhe të sigurojë përdorimin e plotë të sistemit të e-prokurimit për monitorimin dhe vlerësimin e kontratave.

Raporti i auditimit vlerëson se, pavarësisht opinionit pozitiv për pasqyrat financiare, Zyra e Presidentes duhet të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar transparencën, efikasitetin dhe zbatimin e procedurave ligjore në funksionimin e saj. /Lajmi.net/