Serbia e Rusia lënë një degëzim gazi për Kosovën!

Gjatë vizitës së sotme të kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Rusi, ku ka biseduar me homologun e tij rus, Dmitrij Medvedev, është arritur marrëveshja edhe për të ashtuquajturën “Rrjedhë jugore” të gazsjellësit rus nëpër Serbi, kurse një degëzim i tij është paraparë të vijë edhe në drejtim të Kosovës. 

Lajme

09/07/2014 00:12

Sipas shkrimeve të mediumeve ruse, Serbia do ta ketë statusin e “nyjes energjetike” në rajon.

Status të tillë Serbia do të ketë pasi që degëzimet nga territori i saj do të furnizojnë me gaz edhe Kosovën, Republika Srpska, në Bosnjë, dhe Kroacinë.

Këtë detaj e ka publikuar sot Rianovosti në gjuhën ruse, duke iu referuar dokumentit që janë përgatitur në Rusi në prag të arritjes së kryeministrit Vuçiq në Moskë. Sipas këtyre dokumenteve, po shqyrtohet mundësia e ndërtimit të një dege edhe drejt Maqedonisë.

Po ashtu thuhet se udhëheqja serbe është pajtuar me atë që Serbvia të ketë statusin e nyjes energjetike.

Natyrisht, Kosova nuk është konsultuar fare për këtë projekt, i cili zaten është me pikëpyetje të madhe edhe për shkak se BE-ja i quan të paligjshme marrëveshjet e Serbisë, Bullgarisë dhe disa vendeve tjera lidhur me këtë gazsjellës të kompanisë ruse Gazprom. Pos kësaj, nëpërmjet këtij gazsjellësi, jo vetëm Rusia, por edhe Serbia do të kishin përfitime të mëdha dhe do të mund ta kushtëzonin e shantazhonin furniziminin e Kosovës me gaz në forma nga më të ndryshmet.  

Kosova është në plan të lidhet me gazsjellësin transadriatik TAP, i cili do ta sjellë gazin nga Azerbajxhani në Shqipëri dhe një degë e tij do të arrijë edhe në Kosovë.