Serbia e Kosova, të pavarura nga njëra-tjera në BE

Qeveria gjermane thotë se është e vetëdijshme se nuk mund ta obligojë Qeverinë në Beograd që ta njohë tani pavarësinë e Kosovës. Por, thotë se Serbia dhe Kosova duhet të jenë në gjendje që në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra të integrohen në BE.

Lajme

20/12/2013 09:43

Nënkryetar i Grupit Parlamentar të Unionit Demokristian në Bundestagun gjerman, Andreas Schockenhoff, ka qartësuar edhe më shumë pozicionin e Gjermanisë sa i takon rrugës që do të ndjekin Serbia dhe Kosova për  integrimin e tyre në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Andreas Schockenhoff, ka thënë se edhe Serbia, edhe Kosova duhet të jenë në gjendje që në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra të integrohen në Bashkimin Evropian.

“Kjo do të thotë se të dyja duhet të kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë e BE-së dhe të mos sjellin atje konflikte të pazgjidhura”.

Schockenhoff , që është njëri nga politikanët me më ndikim të partisë së kancelares Angela Merkel, ka theksuar se qëllim i Gjermanisë është integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, porse “të gjitha ato duhet të plotësojnë kushtet”.