Serbët nuk tërhiqen, përsëri protesta të dhunshme në Beograd dhe Novi Sad

Policia serbe ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit para Kuvendit të Serbisë, të cilët po kundërshtojnë shtrëngimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Lajme

08/07/2020 23:11

Protestuesit kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policisë. Protesta janë organizuar edhe në qytete tjera.

Në Novi Sad, protestuesit dëmtuan ndërtesën e Bashkisë në qendër të qytetit. Gjatë protestës, një zjarr ka shpërthyer në hyrje të ndërtesës.

Më parë, protestuesit në atë qytet u përpoqën të hyjnë në ndërtesën e Radio Televizionit të Vojvodinës (RTV).

Gjatë protestës, u goditën me gurë ambientet e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet (SNS).

Protesta përkrahet edhe nga partitë opozitare serbe.

Më 7 korrik, pas një konference për media të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, qindra qytetarë u mblodhën para parlamentit serb për të kundërshtuar paralajmërimet për rivendosjen e orës policore.

Nga përleshjet para ndërtesës së parlamentit serb, mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të policisë dhe protestues.

Presidenti serb, është shprehur se Shtabi i Krizës me siguri se nuk do të propozojë vendosjen e orës policore.

“Unë jam kundër që të mos vendoset ora policore”, tha Vuçiç, duke shtuar se një masë e tillë do të ndihmonte në përmirësimin e situatës me pandeminë.

Ai tha se protestat nuk kanë të bëjnë me koronavirusin,  por janë “dhunë politike” ndaj institucioneve të Serbisë./Abcnews.al/